Ekonomi

Raporti i FMN: Shqipëria rritje ekonomike 3.4%

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin periodik për Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, duke mbajtur të pandryshuar projeksionet për rritjen aktuale ekonomike të vendit tonë, në 3.4%, ndërsa në vitin e ardhshëm, rritja pritet të përshpejtohet në 3.7%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson në raportin e fundit se, konsumi privat do të rritet me 3.8% gjatë këtij viti, ndërkohë që në raportin e mëparshëm, atë të muajit maj vlerësonte një rritje të konsumit privat me 3.4%.

Pavarësisht se rritja e konsumit projektohet në rënie, në 2.7% gjatë vitit të ardhshëm, ky projeksion është rishikuar në territor pozitiv në krahasim me 6 muaj më parë, kur vlerësonte një rritje me vetëm 1.5%.

Edhe rritja reale e kërkesës së brendshme rishikohet në territor poizitiv, në 7.4% nga 5.9% gjatë vitit aktual. Një tjetër projeksion pozitiv është ai që i referohet eksporteve. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson një rritje me 5.7% të eksporteve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikon në territor pozitiv edhe projeksionet për borxhin e jashtëm të vendit dhe ato për borxhin publik. Sa i përket inflacionit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, projekton një normë pranë 1.1% gjatë vitit aktual, nga 1.9% që projektonte në muajin maj.