Analisti politik, Ramush Tahiri e ka quajtur lidhjen e koalicionit PAN-AKR si koalicion me raport interesi.
Ai në një prononcim për Gazetën Blic ka thënë se sa i përket koalicionit, se a është i qëndrueshëm apo jo, koalicioni është raport interesi dhe këta i kanë ndarë ministritë. Sipas tij, ministritë që i kanë ndarë nuk e shprehin forcën e votuesit, dhe nuk është se e shprehin pajtimin e partive që kanë marrë më shumë vota.
“Ministritë që i kanë nda nuk e shprehë forcën e votuesit, dhe nuk është që e shpreh pajtimin e partive që kanë marrë më pak vota. Për shembull, PDK-ja, që ka marrë më pak ministra sesa që ka marrë AKR-ja, mirëpo marrëveshja është interes, është interes i elitave dhe tash do të shihet a reflekton apo jo në zgjedhjet lokale.“
I pyetur se a do të ndikoj kjo pjesë e marrëveshjes mes PAN-it dhe AKR-së, në zgjedhjet lokale, Tahiri ka thënë se nëse zgjedhjet lokale mbahen mirë, ndershëm dhe qytetari voton në bazë të ndërgjegjes, atëherë sipas tij kjo pjesë e marrëveshjes do të ndikojë në zgjedhjet lokale.
“Nëse zgjedhjet lokale mbahen mirë, ndershëm dhe qytetari voton në bazë të ndërgjegjes unë besoj se do të ndikojë, pra do të ndikoi në zgjedhjet lokale kjo pjesë e marrëveshjes. Nuk e di a ndikon mirë apo keq sepse varet se si e bëjnë propagandën tek qytetarët. Por, jam i sigurt që kjo marrëveshje qeverisëse do të ndikojë në zgjedhjet lokale, dhe do të ndikojë në raportin e dinamizmit me ndërkombëtarët si dhe do të ndikojë në raportin e korrektimit të politikës së deritashme sepse ashtu siç thash, platforma parazgjedhore e tyre është e ndryshme prej qeverisë së kaluar, është e ndryshme prej pjesës së qeverisë që e ka pas PDK-ja,” – ka thënë Tahiri.
Ditë më parë PAN, dhe AKR kanë lidhur marrëveshje mes vete ku edhe i kanë ndarë ministritë me të cilat do të udhëheqin.
Marrëveshja është nënshkruar nga Kadri Veseli (PDK), Ramush Haradinaj (AAK), Fatmir Limaj (Nisma) dhe Behgjet Pacolli (AKR).
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se roli i koalicionit me PAN-in janë qytetarët dhe të rinjtë e Kosovës.
Partia e tij, AKR do ta ketë zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë Ministri.
AKR-ja, do të udhëheq me Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Punëve të Brendshme, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, të Bujqësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
PDK e Kadri Veselit do të ketë një zëvendëskryeministër dhe gjashtë ministri. Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Diasporës, Ministria e Kulturës dhe Ministria për Dialog.
AAK do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë, Infrastrukturës dhe Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe postin e kryeministrit.
Nismës do t’i takojnë Ministria e Arsimit, e Tregtisë dhe të Industrisë, si dhe Ministria e Punës dhe të Mirëqenies Sociale dhe një zëvendëskryeministër.
Lista Serbe do të udhëheq me Ministrinë për Kthim dhe Komunitete dhe atë për Administrimin e Pushtetit Lokal, do ta udhëheq Lista Serbe, derisa një ministri do t’i jepet minoriteteve tjera. / © GazetaBlic.com /