Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, mbajti sot një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB – në kampusin e saj në Gjakovë me temën “Qeverisja lokale”, ligjëratë kjo në kuadër të serisë së debate me kryetarë komunash të organizuara nga ky kolegj.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët dhe stafin akademik te Kolegjit AAB, kryetari Ramosaj, prezantoi arritjet dhe përpjekjet e tyre për të realizuar planin qeverisës në komunën e Deçanit.
Duke folur për buxhetin e komunës, ai tha se buxheti prej rreth 8.5 milionë eurosh nuk është i mjaftueshëm për komunën e Deçanit, pasi që siç theksoi ai, shifra prej 2.1 milionë për investime kapitale po ua kufizojnë zhvillimin e shumë projekteve komunale.
Kryetari Ramosaj në këtë ligjeratë foli edhe për projektet e komunës që kanë të bëjnë me rininë, ku tha se në komunë janë duke u zhvilluar dy programe që kanë të bëjnë me rininë, programi i arsimit si dhe programi i komunikimit apo socializimit të të rinjëve deçanas.
Sa i përket punësimit, ai tha se komuna nuk krijon punësime, por vetëm mund të krijojë lehtësira për qytetarët e saj.
“Për me kriju komuna lehtësira duhet t’i ketë disa mundësi, e mundësi do të ishte që komuna të ketë tokë komunale për t’ia dhënë një ndërmarrje, një personi juridik ose fizik, i cili e ka një ide dhe dëshiron ta zbatojë atë, por siç edhe dihet, Deçani ka më së paku tokë komunale”, tha kryetari Ramosaj.
Ai tha se punësimi duhet të jetë koncept, zhvillim dhe obligim i nivelit qendror të shtetit të Republikës së Kosovës.
I pyetur për mendimin e tij rreth formimit Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kryetari Ramosaj tha se proceset e mëdha të cilat i janë vu në kurriz të shtetit nga të cilat edhe janë bërë lëshime, që ndoshta kanë qenë të këqija, por këto lëshime sipas tij, janë bërë që Kosova të arrijë të jetë një shtet çfarë të gjithë qytetarët e saj e dëshirojnë.
“Është mirë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, do të jetë ashtu siç e duan edhe institucionet e vendit, e që qendrimi i të gjithëve është një, pra vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nëse ky Asociacion bëhet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën, atëherë nuk është ndonjë telashe e madhe”, tha ai.
Në këtë debat pati edhe shumë pyetje nga studentët e Kolegjit AAB, të cilave iu përgjigj kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Cikli i “Debateve për Qeverisjen Lokale në Kosovë” në Kolegjin AAB do të vazhdojë edhe në ditët ardhshme me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Deri më tani kanë qenë shtatë kryetarë të komunave: Kryetari i Pejes, Gazmend Muhaxheri; kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri; kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini; kryetari i Ferizajt, Agim Aliu; kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe sot kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti; dhe sot kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj. /Gazeta KNN