Aktuale

Ramabaja i VV-së: UDB-ja është ulur këmbëkryq në Polici

Megjithëse shënoi 17 vjetorin e themelimit, Policia e Kosovës dhe sot ka qenë në qendër të kritikave nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtarë të VV-së në një konferencë për media, ku folën për arrestimet e aktivistëve të kësaj Lëvizje me 1 shtator, thanë se në institucionin më të lartë të sigurisë, që është Policia e Kosovës, është ulur këmbëkryq UDB-ja serbe.

Asamblisti Sadri Ramabaja, i cili në konferencë doli së bashku me dy aktivistë të cilët u arrestuan pas protestës së një shtatorit, tha se u ka ndryshuar mendim për  Policinë e Kosovës, të cilët i akuzoi për përdorim të dhunës. Ai tha se skena të dhunës dhe sjelljet brutale nga ana e Policisë, së fundmi, po i kujtojnë situatat e palakmueshme të përballjes me forcat serbe.

Ramabaja tha se UDB-ja është ulur këmbëkryq në institucionin e  Policisë dhe po merr në thumb familjet që kanë dhënë jashtëzakonisht shumë për këtë vend.

“Është e qartë se UDB- ja është ulur këmbëkryq në institucionin e policisë dhe po merr në thumb familjet, që kanë dhënë jashtëzakonisht shumë për këtë vend. Natyrisht përmes saj donë ta shkatërroj idenë për bashkim, idenë për republikën funksionale dhe për bashkim. Ndërkaq VV si organizata  politike më e fuqishme  në rrafshin nacional që ushqen këtë ide dhe platformë politike, është ajo që natyrisht po i vret këtë institucion, këtë zinxhir komandues të Beogradit, të instaluar në polici dhe kjo është arsyeja pse sot po ushtrohet luftë speciale ndaj VV-së“, tha ai.

Edhe asamblisti Qëndron Kastrati, i cili ishte arrestuar javën e kaluar, foli për ngjarjen gjatë arrestimit. Ndërsa tha se policët në shenjë hakmarrje kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.

 

“Gjatë pjesës ku na dërgojnë në pjesën e prapme të ministrisë së kulturës, ata në shenjë hakmarrje dhe mllefi,  përdorin dhunë ndaj neve..Ndërkohë me dërgojnë në pjesën e brendshme ku i lidhur i shtrirë për toke, ai më pyet a ke luftuar dhe me godet në kokë”, thotë ai.

Aktivisti Drilon Pireva, gjatë konferencës së sotme në selinë e VV-së, tha se nga dhuna e përdorur nga policët, ai  ka pësuar lëndime serioze në njërin sy dhe në kraharorin e tij.

 

“ Filluan të godasin pa mëshirë ndaj nesh, pa asnjë arsyetim, deri në kohen kur erdh automjeti i tyre, për të na dërguar në stacion policor. Ne kërkuam ndihmë mjekësore ku na i ofrua ndihma. Kam shkuar dhe në QKUK,  ku po vërehet syri që ka pësuar një dëmtim të brendshëm goxha serioz. Gjithashtu dhe në kraharor kam disa shenja që i kanë shkaktuar. Policia atë ditë ka qenë aq brutale”, tha ai. /KP