Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishin sot në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të shkollës së fëmijëve me nevoja speciale ‘Luigj Gurakuqi’ në Tiranë.
Duke falënderuar drejtorin e Shkollës dhe të gjithë stafin e mësueseve, kryeministri Rama u shpreh se rritja e pagave për gjithë personelin mbështetës erdhi në kohën e duhur.
“Ne arritëm të bëjmë një rritje page të duhur për të gjithë gratë, nënat, dhe burrat që kryejnë këtë shërbim. Është bërë shumë për të gjithë njerëzit në nevojë krahasuar me shtetin që kishim. Shteti që kishim ishte më vete.
Njerëzit që kishin një biznes ishin më vete dhe nevojitej të njihnin dikë që kishte çelësin e zyrës. Ndërsa njerëzit e thjeshtë ishin në vete dhe ata që ishin me karroca invaliditeti detyroheshin të protestonin në rrugë”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se Shqipëria që kishim u kishte personave me aftësi të kufizuar një mal me borxhe. Si për pagesën e aftësisë së kufizuar, si për paratë që u takonin atyre për t’u investuar.
Dhe ishin para që u takonin atyre në bazë të kontratave , për ndërtimin e rrugëve, për të furnizuar spitalet, për tu dhënë atyre shërbime dhe mundësi që shteti ua kishte detyrim. Kjo ishte Shqipëria që kishim. Shqipëria që kishim kishte një ndihmë ekonomike qesharake.
Sot është trefishuar, por ende nuk është ajo që duhet. Sot u kemi dhënë këstin e tetë ish-të përndjekurve që janë gjallë”. Rama u shpreh se “Kjo shkollë është një ishull që ka rilindur. Por ka ende vende që kanë nevojë të rilindin.
Ka ende shkolla që kanë nevojë për rindërtim dhe që të mos jenë më me dy turne”. Ndërsa kryebashkiaku Veliaj në fjalën e tij u shpreh se, “Sot na duken të largëta disa ngjarje që deri dje na dukeshin rutinë. Ishte rutinë që personat me aftësi të kufizuar të mos merrnin pagesat.Sot kemi ligje që detyrojnë punësimin për personat me aftësi të kufizuar.
“Jemi shumë afër hapjes së shkollës më moderne në Tiranë, që është tek Bregu i Lumit, si dhe shkolla në Kombinat, duke theksuar se shkollat më modern nuk janë më në qendër por edhe në periferi”, tha Veliaj.
Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka u shpreh se “shoqëria jonë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet të sigurohemi që potenciali i çdo individi të jetë në shërbim të shoqërisë.
Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e ka cilësuar një premtim të mbajtur rikonstruksionin e kësaj shkolle.
“Është shumë e vërtetë që shkollat e reja që po ndërtohen po kthehen në shkolla model për të qenë qendra komunitare.
Të gjithë nxënësit e kësaj shkolle vijnë me transport falas mundësuar nga Bashkia e Tiranës. Qeveria ka 3-fishuar numrin e mësuesve ndihmës. Mësuesit e këtyre institucioneve kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm dhe janë mësuesit më të mirë që ka Shqipëria”.