Aktuale

Rama takon homologun kinez në Riga

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama merr pjesë sot në Samitin mes Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që zhvillohet në Riga të Letonisë. Nisma 16+1 synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrësve, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

12 drejtimet ku synohet rritja e bashkëpunimit janë: energjia, infrastruktura, transporti, teknologjia, bujqësia, zonat ekonomike, shëndetësia, mjedisi, arsimi, kultura, financa, qeverisja lokale.

Në takimin e zhvilluar me kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, që shërbejnë si bazë për bashkëpunimin ekonomik e tregtar.

Kryeministri Rama e falënderoi homologun Li Keqiang për inkurajimin që jep qeveria kineze ndaj kompanive shtetërore e private për të investuar në Shqipëri, ku shembujt më të fundit janë kompania China Everbright që ka blerë TIA-n që menaxhon aeroportin e Rinasit dhe kompania Geo-Jade Petrolium Corporation që ka marrë në pronësi Bankers Petrolium.

Kryeministri Li Keqiang falënderoi kryeministrin Rama për bashkëpunimin dhe e siguroi atë se mbështetja e qeverisë kineze ndaj kompanive që investojnë në Shqipëri do të vazhdojë edhe në fusha të tjera, si energjia dhe infrastruktura.

Kina renditet sot si partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë me 7,7% të vëllimit të përgjithshëm tregtar.