Aktuale

Rama: Do ta shembim murin absurd mes Shqipërisë dhe Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë Edi Rama kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media, ku kanë deklaruar se së shpejti mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ketë kufij si të BE-së.

Kryeministri Rama tha se vizita e parë e Haradinajt në Shqipëri është një gjest domethënës të cilin e ka çmuar lart.

“Shpreh kënaqësi të veçantë dhe duke nënvizuar mbështetjen tonë për programin qeverisës që ka objektivat e tij ambicioz që mundësojmë fitimin e një kohe të çmuar e humbur kohëve të fundit. Nga takimi jam shpresëplotë në përshpejtim të agjendës sonë të përbashkët. Rrëzimit të barrierave që e kanë penguar dhe vazhdojnë ta pengojmë integrimin e plotë të dy shteteve një proces lehtësimi të marrëdhënie të të gjitha natyrave përbëjnë një premisë por ende jo një platformë”, tha Rama.

Sipas tij mbledhja e dy qeverive të fokusohet në lehtësimin e procedurave administrative për shtetasit që jetojnë punojnë në dy anët e kufirit.

“Mbetet më e komplikuar lëvizja e lirë në kufi ku qytetarët e Shqipërisë e akoma me shumë qytetarët e Kosovës ndeshen në një mur absurd. Këtë mur duam bashkërisht ta shembin për të filluar vitin e ardhshëm një kufi asimetrik evropian. Nuk do të hiqen për fare kontrollet por do të jenë aq të rralla siç ndodh në kufijtë e BE së. Jemi dakorduar që unifikimi i tregut duhet t’i paraprijë si model unifikimit të tregut rajonal”, tha Rama.

Ai tha se diplomacia e shtetit shqiptar do të jetë më aktive në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Rama tha se Shqipëria e mbështet me gjithë fuqinë e vet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në funksion të një zgjidhje realiste dhe një çlirimi përfundimtar nga makthi i të shkuarës.

“E shikojmë me shqetësim çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, është e domosdoshme të gjendet rruga për zgjidhje përfundimtare të ngërçit po krijon probleme me BE-në “, tha Rama./KosovaPress