Akti terrorist që la pas mbi 80 të vdekur dhe qindra të lënduar ka tmerruar popullin shqiptar në Ballkan. Lidershipi politik dhe opinioni publik nëpërmjet rrjeteve sociale, solidarizohen me popullin francez në këto çaste dhimbjesh.
Nga viktimat e sulmit të mbrëmshëm në Nice nuk është shtetas shqiptar apo kosovar.
Sipas mediave shqiptare, një vajzë nga Vlora, Nerajda Rama ka qenë dëshmitare e momentit të parë kur kamioni ka hyrë në turmën e njerëzve. Ajo ka postuar një video në Facebook, ku thotë se agresorët donin t’i vrisnin të gjithë.
Një tjetër dëshmitare ishte dhe Liljana Berberi, e cila tregoi në një lidhje telefonike për Top Channel orët e makthit që përjetoi gjatë mbrëmjen e djeshme.
“Situata është shumë e keqe. Në vendin që ne ishim, dëgjuam të shtëna automatiku dhe nuk dinim nga të iknim. Njerëzit vraponin nga të gjitha anët. Kamioni i mori të gjithë, ishte nga ata 18 tonësh”.
Pas aktit terrorist ka reaguar lidershipi në Kosovë dhe Shqipëri.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se strategjia e tmerrit kurr nuk mund ta mund lirinë. “Strategjia e tmerrit nuk do ta gjunjëzojë kurrë botën e lire! Nazizmi i ri do të mundet njësoj si i vjetri! Franca dhe liria do triumfojnë”, ka shkruar kryeministri shqiptar në rrjetin e tij social Facebook.
Reagime ka pasur edhe nga krerët e shtetit të Kosovës, nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe përfaqësues edhe të opozitës.