Aktuale

Rama i rikthehet arsimit: Sot mbizotëron meritokracia, edhe pas fazës së dytë do ketë vende të lira

Gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve në një universitet privat në Tiranë, i pranishëm ishte edhe kreu i ekzekutivit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama iu rikthye çështjes së maturës shtetërore duke theksuar se reforma në arsimin e lartë është edhe një kthesë historike për shkollën e mesme.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se me këtë reformë studentët kanë në dorë vetë fatin sapo hyjnë në bankat e shkollës së mesme.

“Ne jemi sot në një moment historik për arsimin e lartë pasi ka filluar zbatimi i një reforme rrënjësore që ndan të shkuarën nga e ardhmja. Është një reformë e thellë, zbatimi i të cilës nuk është i lehtë dhe frytet e të cilës do t’i shikojmë në vite.

Por dy gjëra mund të thuhen që sot. Në universitet sot regjistrimi po bëhet me radhë dhe radhën po e përcakton merita, më të mirët përpara, të tjerët pas tyre, të papenguar, të pa bllokuar, të pa përjashtuar nga asnjë fuqi tjetër, as nga miku, as nga fisi, as nga partia, as nga leku, as nga shansi qorr i tjetrit. Në një proces ku secili mund të marrë vendin që i takon, por askush nuk mund ti zërë tjetrit vendin duke përdorur fuqi jashtë meritës së vet. Kjo reformë e vendos fatin e secilit, në duart e secilit.

Që kur hyn në shkollë të mesme çdo nxënës dhe nxënëse e ka në dorë fatin e vet dhe e vendos përmes rezultateve të veta. Kjo është një reformë që nuk përcakton një cilësi të re, po është edhe kthesë historike për shkollën e mesme”, tha Rama.

Sipas tij edhe pas fazës së dytë ka sërish kuota të lira, por që këto vende sigurisht, tha ai, do të fitohen me meritokraci.

“Edhe pas fazës së dytë, gjysma e kuotave sërish të lira. Askush që përmbush kriteret s’do mbetet jashtë universitetit”.