Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur për çështjen e shënjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, marrëveshje kjo për të cilën thotë se shpreson se do të ratifikohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës.
Rama ka thënë se pret nga Haradinaj ‘që të ndahet nga pozicioni i tij opozitar ndaj këtij problemi.
“Ashtu sikundër unë do të dëshiroja që të mos shikoja kryeministrin e deridjeshëm të Kosovës të shkonte tek një pozicion opozitar në raport me një çështje për të cilën ai ka qene dakord dhe madje ka fajësuar pozitën e deridjeshme. Është një problem i cili nuk është problem i Malit të Zi është problem politik brenda Kosovës dhe duhet ta zgjidh Kosova në funksion të ardhmërisë së vet. Mali i zi është një vend dhe popull mik i padiskutueshëm më të cilin shqiptarët kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera”, tha Rama.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi është në pritje të krijimit të një situate të re, e që më pas mund t’i drejtohet Malit të Zi për çështjen e demarkacionit.
Ai ka shtuar se Kosova është e interesuar që të forcojë marrëdhëniet me Malin e Zi.
“Tema e Shënjimi i kufirit Kosovë- Mali i Zi është në një situatë që Kosova po procedon ne përputhje me rregullativën e vet, në përputhje me obligimet që ka politike. Kur te kemi një situatë të re me siguri që do ti drejtohemi vendit fqinj, pra kur të kemi një situatë më të qartë të të gjeturave tona. Deri atëherë besoj të gjithë mund ta qojmë një porosi që interesimi ynë është që këto marrëdhënie të mira me Malin e Zi ti forcojmë”, tha Haradinaj./KosovaPress/