Aktuale

Rama: Policia nuk ka gisht në grabitjen e bankës

Kryeministri shqiptar Edi Rama, duke folur për grabitjen e bankës, tha se të gjithë ata që sulmojnë qeverinë për reformat, sulmojnë dhe Policinë e Shtetit pa kurrfarë argumenti.

“Nuk lanë gjë pa thënë, madje edhe gjera që s’ishin thënë, pasi grabitje të tilla ndodhin në të gjithë botën, por as opozita, as gazetarët nuk i turren qeverisë se grabitet nja bankë sado spektakolare të jetë grabitja. Ku bën vaki të sulmohet me tërbim qeveria dhe policia sikur të ishin grabitës”, tha Rama.

Në vijim, Rama u shpreh: “Cilat janë faktet në të vërtetë. Kanë ndodhur disa grabitje të kësaj natyre vitet e fundit, të cilat natyrisht nuk janë fenomen i ri. Në kohën e qeverisë së vjetër bankat janë sulmuar 32 herë. Në këto raste ashtu si dhe në rastin e fundit, grabitjet kanë qenë të organizuar me një ndihmë nga brenda këtyre institucioneve, që kanë rënë viktime e bandave. Suksesi i tyre ka qenë i lidhur me sistemin mizerabël të sigurisë dhe me sisteme të pajustifikueshme për të zbatuar masat në mënyrë të përsëritur nga Policia e Shtetit. Duhet nënvizuar se Policia e Shtetit ka zbardhur plotësisht qoftë rastin e bujshëm të Rinasit, qoftë rastin e grabitjes këtu në qendër të Tiranës dhe tanimë janë arrestuar disa autorë dhe janë në kërkim disa të tjerë”.

“Hetimet e kanë provuar katërciprisht dhe rast pas rasti dhe kanë treguar se Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ka kurrfarë gishti  në grabitjen e bankave sikundër akuzojnë në kor levantinët dhe zullumqarët, pasi prej kohësh policia ka kërkuar qoftë nga bankat, qoftë nga Rinasi për marrjen e masave për garantimin e zinxhirit të brendshëm të sigurisë së tyre. Ashtu sikundër për secilin prej rasteve edhe në këtë rastin e fundit masat e grupuara të sigurisë rezultojnë që të mos jenë marrë, jo vetëm që lajmërimi i policisë për ngjarjen është bërë më një vonesë të pajustifikueshme, por qoftë niveli i policisë  private, qoftë standardi i automjeteve të transportit të parave, qoftë sigurimi i gjurmueshmërisë së kasave, qoftë edhe thjesht shtypja e butonit të alarmit, nuk rezultojnë gjëkundi të jenë mbajtur parasysh. Atëherë, a ka mundësi që nje mendje normale ta kuptojë se si është e mundur  që në këto kushte indiferentizmi nga ana e institucioneve, të mund të fajësohet Policia e Shtetit”, u shpreh Rama.

Rama pohoi se “Policia e Shteti jo në Shqipëri, por në asnjë vend s’ka shanse ta ndalojë në flagrancë një krim të kësaj natyre nëse bankat nuk marrin asnjë nga masat e parandalimit, ndërkohë që policia ia ka përsëritur. Edhe në Gjermani u krye në festën e Krishtlindjeve një akt terrorist që tronditi mbarë botën, në zemër të Berlinit. Autori jo vetë që nuk u kap në flagrancë, madje në një shtet tjetër”.

Rama këto deklarata i bëri përmes Facebook-ut në komunikimin e tij të përjavshëm me qytetarët.