Aktuale

Rama: Opozita po mbron informalitetin; Basha: Rama kërcënon sipërmarrësit e vegjël

Kryeministri Edi Rama theksoi në një postim në Facebook se opozita është vënë në mbrojtje të informalitetit, ndërsa qeveria mbron njerëzit e zakonshëm.

“Opozita front në mbrojtje të INFORMALITETIT. Ne mbrojmë njerëzit e zakonshëm. Asnjë biznes pa TVSH = FUND mashtrimit me lekët e popullit”, shkroi Rama.

Në të njëjtin rrjet social erdhi edhe përgjigjja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës. “Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit.

Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit. Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”, shkroi Basha.