Kryeministri Edi Rama i ka shprehur ngushëllime të afërmve, miqve e kolegëve të Ardian Kodrës, efektivit të FNSH-së që humbi jetën në krye të detyrës gjatë një aksione dje në Torovicë të Lezhës.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Rama lutet që shpirti i efektivit 47-vjeçar të prehet në paqe. Por ndërkohë në këtë status, kreu i qeverisë nuk thotë asnjë fjalë për një kërkesë që ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri bëri publikisht dje nga Shkodra, pasi ngushëlloi familjarët e Kodrës për humbjen e të dashurit të tyre.
“Do bëj gjithçka t’i parashtroj Kryeministrit kërkesën për rritjen e pagave të punonjësve të policisë”, tha Tahiri.
Ndoshta Rama mund të jetë duke pritur ende një kërkesë zyrtare…
“Ardian Kodra, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ra në krye të detyrës! Një tjetër shërbëtor i shtetit i mungon sot familjes, miqve, kolegëve, njerëzve të këtij vendi. Me respektin më të thellë lutemi që të prehet në paqe, duke u shprehur ngushëllimet më të ndjera gruas, djemve, nënës, motrave, vëllezërve dhe gjithë rrethit të tij familjar e shoqëror”, shkruan Rama.