Po mbahet në Serbi Forumi i VI i Beogradit për Sigurinë, ku të pranishëm janë kryeministri serb Aleksandar Vuçiç dhe ai shqiptar, Edi Rama.
Dy krerët e qeverive po marrin pjesë në forumin “E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe si dhe stabiliteti në Evropën Juglindore”, ku po shprehin qëndrimet e tyre duke iu përgjigjur pyetjeve të profesorit të Universitetit Columbia, Misha Glenny.
“Ne në Ballkan duhet të jemi të qartë: procesi i BE-së nuk është udhëtim për të shkuar diku sepse njerëzit e presin këtë nga ne, por është rrugë modernizimi për shoqëritë tona”, tha Rama.
“Kemi nisur një proces që ka qenë i paimagjinueshëm për Shqipërinë dhe sot kemi kaluar një paketë ligjore shumë radikale. Çdokush e ka të qartë: kjo nuk do të ishte e mundur pa mekanizmat e integrimit në BE. Nuk ka mekanizëm tjetër që të na lejojë të dalim nga rruga e një historie jo bujare dhe për të lëvizur përpara. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me Brukselin, por ne duhet të heqim dorë nga mënyrat fëmijërore.
Ne nuk jemi mes dy dashurive të mundshme, vetëm një, ajo drejt perëndimit. Është e lidhur me të kaluarën tonë që ka qenë dëshira për të takuar perëndimin. Kemi qenë të aftë të bëjmë reforma që s’kishim menduar kurrë sepse kjo është mënyra për të qenë pjesë e familjes europiane.
Nuk ka dilemë e kemi ndjerë se cila është zgjedhja. Nuk them se është e keqe, por e përmenda që zgjedhja është ndonjëherë e rrezikuar nga dy dashuri në nivelin e opinionit publik, dhe jo për zgjedhjen e qartë të kryeministrit”, tha Rama.