Aktuale

Rama: Kurrë nuk është vonë për t’u angazhuar në përpjekje madhore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në rubrikën “Komunikimi i javës”, duke folur për Samitin e Diasporës, deklaroi sot se samiti është një kuvendim që vazhdon për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Kryeministri Rama u shpreh se kjo javë  shënoi një event të madh për shqiptarët dhe shtetin shqiptar si asnjë herë më parë.

“Shtegtarët e shqipes u mblodhën në një samit të diasporës në atdhe. Më mirë vonë se kurrë dhe sidoqoftë, kurrë nuk është vonë për t’u angazhuar në një përpjekje madhore të përbashkët, Shqipëria së bashku me Kosovën dhe shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Lugina e Preshevës e kudo në Evropë dhe në botë, të pandarë për Shqipërinë”, tha Rama.

Me tej, në komunikimin e javës, Rama pohoi se “Samiti mblodhi për herë të parë pa asnjë dallim politik, gjeografik, prejardhje besimi apo brezash, rreth 1000 përfaqësues shoqatash të ndryshme shqiptare, apo individë, bashkëkombës nga 40 vende nga të gjithë kontinentet. Synimi është i lartë, i qartë dhe i thjeshtë, të ndërtojmë një urë të re dhe sa më të fortë komunikimi dhe ndërveprimi në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjes mes diasporës dhe atdheut dhe po ashtu, të nxisim dhe të mbështesim më të gjitha mënyrat ndërtimin e urave lidhëse mes komuniteteve dhe individëve shqiptarë në vende dhe kontinente të ndryshëm, për të shfrytëzuar sa më shumë energji shpirtërore dhe sa më shumë vullnete njerëzore që duan të kontribuojnë për Atdheun”./KosovaPress/