Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar në lidhje me vrasjen e elektricistit Zamir Velaj në vendin e punës Përmes një shënimi në Facebook Rama shkruan se therja barbare e tij me thikë po kalon thuajse pa u vënë re!
Sipas tij, Partia Demokratike nuk e ka vënë re këtë masakër mbi shërbëtorin e shtetit, që la jetim një djalë 17 vjeçar, pse nuk pranoi t’i lidhte rrymën në mënyrë të paligjshme një kafshe me dy këmbë.
“Siç pritet, nuk e ve re hiç këtë masakër mbi shërbëtorin e shtetit, Partia Demokratike, e cila mjerisht, mezi e pret krimin e radhës, për të akuzuar Policinë e Shtetit, Ministrin e Brendshëm apo mua vetë. Po nuk e venë re thuajse fare, humbjen e jetës së një burri 44-vjeçar në krye të detyrës, as edhe vetë gazetat online; ato të cilat fatkeqësisht, shkojnë përditë shumë përtej lajmeve reale, e nuk lënë gënjeshtër e fantazi pa publikuar si lajm, skandal apo bombë”, shkruan Rama në Facebook.
Sipas Ramës, Zamir Velaj nuk është viktima e parë e agresionit të egër fizik kundër punonjësve të OSSHE-së.
“Të tjerë janë goditur më parë, janë terrorizuar, plagosur, kanë luftuar me vdekjen në spitale apo kanë humbur edhe jetën, qysh se nisi reforma historike e energjisë! Po njësoj si Zamiri, nuk kanë bërë lajm thuajse fare, sepse lajmet nga ky sektor dhe kuja politike e mediatike, u është rezervuar qysh në fillim, vjedhësve “të shkretë” të energjisë!”, shkruan Rama.
Rama në fund ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e Zamir Velaj./KosovaPress/