Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, filloi vizitën e tij në Kosovë, me një takim me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Rama tha se procesi gjyqësor që po zhvillohet në Francë ndaj Ramush Haradinaj, është i tepërt, por se pret që fundi, do të jetë ai që e duan të gjithë. Ndërsa tha që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të punojnë që përfundimisht të hiqen nga lista njerëz që ndalohen me urdhër arreste të një kohe, që i përkasin të kaluarës.
“Natyrisht tema e bisedës është ajo çka unë mendoj mbetët në rendin e ditës për të gjithë ne, domosdoshmëria për një fund ashtu siç kërkon e drejta dhe siç e meriton Kosova, të një procesi tërësisht të tepërt për Ramush Haradinaj. Por jo vetëm kaq. Por kemi diskutuar me gjerë dhe për situatën në tërësi dhe për sfidat e përbashkëta. Ajo që unë dua të nënvizojë dhe që e kemi ndarë me miqtë tanë është se për ne procesi i Ramushit me përfundimin e tij, që unë me gjithë zëmër uroj dhe besoj do të jetë përfundimi që duam të gjithë. Nuk është fundi por është fillimi i një pune të përbashkët e Qeverisë sonë, Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës për të fshirë përfundimisht këto lista njerëzish, me urdhër arreste të një kohe, që i përket të shkuarës dhe që na shfaqet hera herës në këto forma të cilat na kujtojnë se e shkuara është gjithmonë një kërcënim për ne. Por, dhe na obligojnë që të vazhdojmë së bashku me mjetet e paqes dhe demokracisë, ta bëjmë të shkuarën të pakthyeshme dhe ta ofrojmë sa më shumë të jete e mundur, të ardhmen që meritojnë fëmijët tanë”, tha ai.
E nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini tha se Rama ka nderuar jo vetëm Ramushin, por të gjithë patriotët shqiptarë dhe qytetarët e Kosovës. Ndërsa e falënderoi për angazhimin e tij, pas ndaljes së Haradinajt në Francë.
“Kryeministri e ka nderu Ramushin, duke e nderuar Ramushin i ka nderuar gjithë patriotët shqiptarë kudo që kanë qenë. I ka nderuar gjithë qytetarët e Kosovës. Ka nderuar gjithë shqiptarët, e definitivisht na ka nderuar edhe neve në Aleancë të gjithëve. Ne bashkërisht kemi qenë të vetëdijshëm, për rolin që ka luajtur kryeministri Rama dhe Republika e Shqipërisë, jo vetëm në këtë fazë, por në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës. E posaçërisht duam ta falënderojmë publikisht për angazhimin që e kanë pasur në situatën, që është krijuar pas ndaljes së kryetarin Haradinaj në Francë“, tha ai.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, po qëndron në Kosovë, ku ka paralajmëruar takime edhe me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. /KP