Aktuale

Rama dhe Vucic forcojnë lidhjet Shqipëri –Serbi, ja çfarë po ndodh në Nish

Shqipëria dhe Serbia po i forcojnë jashtëzakonisht shumë marrëdhëniet. Për këtë po kujdesen Rama dhe Vucic, të cilët raportet personale kanë vendosur t’i avancojnë në raporte ekonomike nga të cilat përfitojnë këto dy vende. Shqipëria dhe Serbia madje nga sot do të kenë edhe një Odë të përbashkët ekonomike –tregtare. Natyrisht, diçka të tillë Shqipëria nuk ka me Kosovën pasi Prishtina dhe Tirana ende nuk e kanë tejkaluar as“çështjen e patateve” në raportet tregëtare.

Sot në Nish, Serbi, ka filluar punimet Forumi biznesor Serbi – Shqipëri, i cili po udhëhiqet nga Kryeministrat Vucic dhe Rama.

Në forum po marrin pjesë rreth 300 përfaqësues të kompanive dhe bizneseve nga të dy vendet.

Duke e hapur forumin, Vucic ka thënë se “avancimi i marrëdhënieve u sjell të mira qytetarëve dhe nga ky bashkëpunim varet e ardhmeje tyre ashtu që nuk duhet lënë që dikush tjetër t’i rregullojë marrëdhëniet tona”, njoftojnë mediat serbe.

Në një takim të tillë ishte parapare fillimisht të marrë pjesë edhe Oda Ekonomike e Kosovës, por si duket kjo nuk ka ndodhur për arsye politike pasi pala serbe nuk ka pranuar që atje të jenë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.

I pari i Qeverisë serbe me këtë rast ka ftuar biznesmenët shqiptarë të investojnë në Serbi.,

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se pavarësisht nga dallimet politike, marrëdhëniet Serbi – Shqipëri po zhvillohen në drejtimin pozitiv dhe në dobi të banorëve të dy shteteve, ndërsa i ka ftuar biznesmenët serbë në Shqipëri.

Vucic ndërkaq ka përmendur edhe autostradën Nish –Durrës për cka të dy palët kanë nënshkruar edhe marrëveshje, duke e lënë anash Kosovën.