Këtë të shtunë Partia Agrare Ambientaliste mbajti konventën e saj të gjashtë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, e cila mblodhi bashkë të majtë e të djathtë.
Kreu demokrat Lulzim Basha i cilësuar si i ftuari i nderit në këtë konventë, mbajti një fjalë të gjatë para të pranishmëve, fillimisht për të përshëndetur bashkëpunimin me PAA-në e drejtuar nga Agron Duka, e së dyti për të sulmuar qeverinë.
Basha i ka besuar kësaj force politike kandidatin me të cilin do të garojnë në zgjedhjet lokale që mbahen në Kolonjë.
“Aleanca jonë është e hapur dhe jemi të gatshëm të mirëpresim çdo forcë politike dhe të përfaqësojmë çdo shqiptar që qëndron dhe lufton për këto vlera. Ndarja me krimin është një urgjencë kombëtare, një thirrje mbi formacionet tona politike”, tha Basha.
Deputeti Taulant Balla i ftuar në këtë konventë përcolli një ftesë të hapur për Dukën në emër të kryeministrit Edi Rama.
“Përshëndes konventën tuaj me bindjen se do të jetë e fundit që e gjen PAA në koalicion me PD. Dua të përcjellë përshëndetjet e zotit Rama, që më porositi t’ju them se në Kolonjë do të jemi të detyruar të fitojmë për t’i thënë PD se përballë nesh nuk fitoni dot. Kjo do jetë humbja e radhës e PD, jo e PAA-së. vendi juaj është në krah të fituesve dhe jo me humbësit. Suksese pas 20 nëntorit”, tha Balla.
Por përgjigjen për këtë ftesë, Duka ja dha më herët gjatë fjalës së tij, kur tha se “Bashkëpunimi me PD është në rritje të vazhdueshme”.
Balla qëndroi në hollin e Pallatit të Kongreseve duke shmangur fjalimin e liderit demokrat Basha. /Gazeta Express/
Fjala e plote qe mbajti Balla ne Konvente
Kam kënaqësinë të përshëndes Kongresin e kësaj partie, me bindjen që ky është kongresi i fundit që e gjen Partinë Agrare Ambientaliste në koalicion me Partinë Demokratike.
Sepse kam bindjen që miku ynë, Agron Duka, ministër Bujqësie në qeverinë e Partisë Socialiste dhe ish-deputet i saj, e ka marrë lidershipin e kësaj partie duke respektuar pjesën më të mirë të historisë së saj, kur kjo PAA ishte një aleate besnike e Partisë Socialiste.
Ashtu sikundër kam bindjen se, edhe fshehja e Saliut dhe e Lulit pas Agronit në garën për Kolonjën, është rezultat i të njëjtit fakt, që kjo parti vjen nga e majta dhe u kujton të majtëve historinë e tyre të përbashkët.
Ju jeni aktualisht në një gare lokale me ne dhe unë s’mund të bëj këtu kurrësesi fushatë për ju, po natyrisht as fushatë për ne!
Por di vetëm t’ju them se edhe ju të Partisë Agrare Ambientaliste, duhet të vini me ne një orë e më parë që ne të punojmë edhe me ju edhe më shumë për njerëzit e për komunitetet e Shqipërisë sonë.
Ndërkohë që unë dua t’i shpreh Agron Dukës vlerësimin e të gjithëve ne, sepse Agroni në Parlament ka treguar një model tjetër opozitarizmi, shumë kritik por njëkohësisht edhe konstruktiv dhe alternativ, është i mundur!
Ai nuk shan, nuk mbush Parlamentin me shpifje, nuk bërtet dhe mundohet të thotë gjithmonë jo vetëm pse s’është dakord, por edhe si mund të bjerë dakord nëse një ligj apo një tjetër riformulohet në një mënyrë të caktuar.
Shkurt, Agron Duka është profili qytetar i një opozite që qytetarinë e ka humbur në rrugën e ekstremizmit politik dhe gjuhësor.
Nuk po e zgjas më shumë këtë përshëndetje, se nuk kam ardhur këtu të bëj fushatë për Agronin dhe për partinë tuaj, në këtë kongres ku kam kënaqësinë t’ju përcjell përshëndetjet e kryetarit tonë Edi Rama!
I cili me porositi t’ju them se në Kolonjë do t’ju mundim për t’i dhënë Partisë Demokratike mesazhin e qartë se me ne nuk ka shans të fitojë as në Dibër, as në Kolonjë dhe as në Shqipëri!
Por ju, agraro-ambientalistët s’duhet të na e merrni për keq sepse humbja do jetë e PD-së, aspak e juaja.
Do të jetë humbja e radhës në krah të PD-së, por këtë humbje në Kolonjë, ju lutem shikojeni si një lehtësim sepse do të jeni edhe më të qartë se vendi juaj dhe i Agron Dukës nuk është mes humbësve, por në krah të fitimtarëve:
Në Aleancën për Shqipërinë Europiane!