Rritja e numrin të rasteve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, mund t’i kthejë përsëri masat që u ndërmorën në mars, kur në Kosovë u shënuan rastet e para me këtë virus. Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, mikrobiologu, Lul Raka.
Ditëve të fundit është shënuar rritje e numrit të të prekurve me sëmundjen COVID-19. Vetëm ditën e diel, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se janë regjistruar 40 raste të reja me koronavirus. Ndërkohë, dy ditë më herët kanë qenë 36 raste të reja.
Mikrobiologu Lul Raka thotë se nëse rritja e numrit të rasteve të reja shkon paralelisht me numër të madh të përnjëhershëm që kërkojnë hospitalizim dhe që kërkojnë kujdes intensiv, atëherë mbyllja e sërishme është një opsion real.
“Çdo gjë varet prej qytetarëve të Kosovës se sa i respektojnë masat parandaluese. Përveç rritjes së numrit të rasteve, faktor vendimtar mund të jetë edhe struktura klinike e rasteve të reja, në qoftë se ato janë raste të lehta të kontaktit familjar, madje në disa raste janë edhe asimptomatike dhe nuk kanë nevojë për hospitalizim, atëherë ato janë të menaxhueshme për sistemin shëndetësor dhe nuk besoj se do të duhet të rimbyllemi sërish”, tha Raka.
Ai shton se duhet kujdes i shtuar i qytetarëve dhe zbatim i këshillave, pasi që ato janë për t’u zbatuar në praktikë.
“E para dhe kryesorja është distanca fizike gjatë gjithë kohës, por në raste kur është e pamundur të mbahet distanca, si në autobus apo qendra tregtare, atëherë maska është obligative”, tha ai.
Në rrugët e Prishtinës shihet se respektimi i masave është i vogël. Numri i atyre që bartin maska është i paktë dhe distanca fizike pothuajse nuk respektohet askund.