Aktuale

Ragip Begaj jep detajet e fundit mbi gjendjen e të prekurve me Covid-19 në Malishevë

Komuna e Malishevës deri më tani është më e prekura nga virusi COVID-19. Në bazë të të dhënave të fundit nga IKSHPK-ja, rezulton që vetëm në këtë komunë janë 70 të prekur me këtë virus, teksa numri i të shëruarve ka arritur në 21 persona, raporton Front Online.

Këtë për Front Online e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e i cili ka thënë se është duke vazhduar trajtimi i pacientëve që kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus.

“Po deri më tani Malisheva prin me numrin e rasteve pozitive me virusin COVID-19. Kemi 70 të prekur, e ku 21 prej tyre janë të shëruar”, ka thënë Begaj.

Ndërsa për sa i përket personave që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe që vijnë nga Malisheva, i pari i këtij qyteti theksoi se janë gjithësej 9 persona.

“Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 9 persona, por nuk janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Dje kam komunikuar me drejtoreshen e Klinikës si dhe me doktorin Sali Ahmeti të cilët më kanë konfirmuar që gjendja e tyre është stabile”, ka thënë ai.

E monstrat e fundit që janë marrë dje nga IKSHPK-ja në këtë komunë, kanë rezultuar negative gjë të cilën e konfirmoi edhe vet Begaj.

“Dje të gjitha monstrat që janë marrë nga IKSHPK-ja kanë rezultuar negative”, ka njoftuar ai.

the authorGazetaKNN