Aktuale

“Radikalizmi islamik në Kosovë ka ardhur bashkë me shërbimet e spiunazhit”

Radikalizmi islamik në Kosovë ka buruar pas luftës në Kosovë dhe elemente të kësaj dukurie negative i kanë sjellë organizatat e huaja të spiunazhit për ta dëmtuar imazhin e Kosovës në botë.

Kështu thanë disa nga folësit në Samitin e Komisioneve për punë të jashtme të Parlamenteve të Evropës që dy ditë radhazi është mbajtur në Prishtinë.

Më i ashpër gjatë fjalës së tij ishte deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, i cili është edhe kryetar i komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj tha se radikalizmi islamik ka ardhur pas luftës  me qëllime politike për ta dëmtuar imazhin e Kosovës.

Por, për ta luftuar këtë dukuri sipas Haradinajt duhet të votohet Ligji mbi Fetë i cili i sanksionon në mënyrë ekstreme të gjitha veprat terroriste.

E, për këtë kërkohet edhe përkrahje nga komuniteti  serb pasi që ata  janë pjesë e këtij vendi.

 

“Radikalizmi islamik në Kosovë ka buruar pas luftës, para luftës as nuk është njoftë çka nënkupton radikalizmi islamik. Nuk e kemi pasur as idenë çka është radikalizmi islamik, në të kaluarën e kemi quajtur islamin tradicional. Nuk ka pasur dallime fetare dhe as sot nuk ka dallime fetare, nuk ka pasur paragjykime. Mendoj, që sponzorizimi nga jashtë ka ndikuar për shkak të situatës ekomomike në Kosovë, për shkak të mungesës së perspektivës, për shkak të mungesës së lirë në Evropë”, tha Haradinaj.

Ai ishte kritik edhe ndaj Bashkimit Evropian se Kosovës ia ka qitur kusht demarkacionin ndërkohë që janë edhe shtatë raste në ish-Jugosllavi që nuk e kanë përmbyllur demarkacionin.

 

“Evropa i qet kushte Kosovës për demarkacion, i kemi shtatë raste në Jugosllavi që ende nuk e kanë përmbyllur demarkacionin. Dhe të gjitha ato shtete janë të NATO-së dhe BE-së. Ndërkaq, Kosovës padrejtësisht i kërkohet një kusht për humbje të territorit. E kemi kodin e procedurës penale që i sanksionon në mënyrë ekstreme secilat vepra terroriste. Por, nuk e kemi asnjë rast terrorist në kategori fetare në Kosovë. I kemi të arrestuar 120 persona të gjithë janë klerikë fetar që e kanë prediku  islamin radikal, i kemi të kthyer në Kosovë 38 shtetasë dhe të gjithë janë para drejtësisë…Unë, mendoj që kjo më shumë ka bazë politike për me dëmtuar imazhin e Kosovës, sesa që ka materie”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ambasadori i OSBE-së  në Kosovë, Jan Braathu kërkoi nga secili individ ta luftojë radikalizmin dhe terrorizmin. Sipas tij, nuk mjafton vetëm fuqizimi i ligjeve ta largojë këtë dukuri, kontributi më i madh vjen nga  vet individët.

Ai tha se është i nevojshëm komunikimi në mes të nivelit lokal dhe qendror për të luftuar terrorizmin, pasi që pothuajse gjysma e popullsisë jetojnë nëpër fshatra. Deputetja e PDK-së Flora Brovina tha se  radikalizmi në Kosovë ka ardhur së bashku me shërbimet e spinuazhit.

Brovina deklaroi se historia e fesë së Kosovës është ndryshe nga ajo që Evropa e percepton.

Sipas saj, familjet e Kosovës janë të përziera sa iu përket përkatësisë fetare dhe se toleranca është e madhe.

 

“Ky radikalizëm kujtoj unë ka ardhur së bashku me shërbimet e spiunazhit ndërkombëtarë që ndodhet këtu. Ne nuk kemi forcë për t’i kontrolluar këto, por jam shumë e sigurt që kanë ardhur me qëllime ta destabilizojnë situatën në Kosovë. Dhe të etiketojnë popullin i cili fitoi me mund e me gjak lirinë e vet. Duke përkrahur organet kombëtare sigurisht pa asnjë dallim dhe të ngec kështu si ka ngecur vendi ynë kështu siç ka ngecur. Këtu ishte e tërë Evropa, pse nuk e kontrollonte radikalizmin. Pse ne kur e kishim krejt Evropën këtu   nuk arritëm të jem të parët të kyçur në BE”, tha Brovina.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti deklaroi se nuk ka pasur përplasje  në mes të kosovarëve dhe serbëve sa iu përket feve të tyre.

Sipas tij, shteti i Kosovës ka arritur në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe shpesh ato që thuhen në gazeta të huaja, nuk janë të vërteta.

 

“Kosova ka të arritur në këtë aspekt për shkak se ka hartuar një ligj i cili dënon mjaft ashpër ata që marrin pjesë në këtë. Ne jemi në rrugë që të miratojmë edhe Ligjin mbi Fetë, i cili do ta kufizojë mundësinë e predikimit të radikalizmit në xhami apo në kishë, apo kudo qoftë. Ne kemi proklamuar edhe në Shqipërisë dhe në Kosovë nuk ka pasur asnjë rast të përplasjeve në mes feve të ndryshme. Informatat sipas gazetave nganjëherë janë të rrejshme, nuk  janë të vërteta dhe krijojnë shqetësime të panevojshme në raport me Kosovën. Kemi pasur artikuj edhe në ‘New York Times’ edhe në gazetat e Evropës, të cilat e kanë baltosur Kosovën dhe njerëzit që e udhëheqin Kosovën. Na kanë quajtur kanibal, në qoftë se akuzat që i ka bërë Dick Martyt janë të vërteta, atëherë nuk do të ishim këtu ulur. Nuk ka pasur kurrë as në kohën e luftës as pas luftës lëvizje që janë marr me transplantim tà « organeve. Prandaj, mendoj që propaganda është e madhe dhe qëllimkëqija në raport me ekstremizmit që i faturojnë në Kosovë”, deklaroi Haliti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha se lufta e terrorizmit dhe radikalizmit duhet të shikohet si problem negativ për të gjithë botën dhe si anë pozitive duhet të jetë bashkëpunimi rajonal për të luftuar këto dukuri.

Në samitin që ka nisur dje në Prishtinë kanë marrë pjesë përfaqësues të disa shteteve të Evropës dhe Ballkanit. /KP