Në fshatin Kovragë të Komunës së Istogut, sot është organizuar manifestimi tradicional i vjeljes së mollës.
Në mesin e të pranishmëve, siç është paralajmëruar, ka qenë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili në faqen e tij në Facebook, lavdëroi pemëtarët e këtij rajoni.
Por, atë që nuk e tregoi ishin disa parulla të cilat e prisnin atë në këtë aktivitet.
“Pushtetarët “Pronto” – Mollat rriten më mirë e më shumë pa ju”, “President, Kryeministër, Nuk jeni të mirëseardhur”, ishin parullat që u panë në këtë aktivitet.
Të kontaktuar nga Koha.net, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë mohuar të jenë prapa këtyre parullave.
“Ne nuk kemi lidhje me këtë punë. Banorët e atjeshëm e kanë bërë”, ka thënë Frashër Krasniqi për Koha.net.
Presidenti Thaçi, sot ka marrë pjesë në manifestimin tradicional “Dita e mollës” në Kovragë, ku në mënyrë simbolike nisi vjelja e mollëve.
Presidenti Thaçi ka thënë se sa herë që shkon në kohën e vjeljeve në Kovragë, ajo gjithnjë e më shumë duket e kuqe për shkak të mollëve të shumta.
“Kovragën të kuqe e keni bërë ju, me punën tuaj, duke kultivuar molla. Dhe po më duket gjithnjë e më e kuqe, sepse çdoherë e më shumë i keni shtuar sipërfaqet e mbjella”, ka thënë presidenti Thaçi./Gazeta Express