Dezinsektimi selektiv, repelimi i shtazëve, marrja e mostrave të gjakut, fushata edukuese-vetëdijësuese, kanë bërë që të luftohet sëmundja e Etheve Hemorragjike, e njohur edhe si sëmundja “Krime Kongo”.
Nga një takim ndërministror i cili u mbajt në Komunën e Malishevës që njihet edhe si vatra e rriqrave, sot u raportuar që në tri vitet e fundit nuk ka pasur asnjë rast të vdekshmërisë nga pickimi i rriqrave, e cila sëmundje nga viti 2000 e deri më tani ka shënuar 189 raste me 49 të vdekur.
I pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në këtë takim tha se qytetarët e Malishevës kanë larguar frikën nga kjo e keqe, e cila ka dominuar me vite.
“Qytetarët e Malishevës e kanë larguar frikën nga kjo e keqe që ka dominuar me vite. Fatmirësisht kjo punë e jona e përbashkët e nivelit lokal dhe nivelit qendror ka bërë që gjatë këtyre tri viteve në Komunën e Malishevës të mos kemi asnjë të vdekur…Po besoj që edhe vitet e ardhshme me një angazhim të përbashkët, me një punë të përbashkët të ekspertëve dhe politikës në interes vendi, ne do të jemi më të mirë dhe më të suksesshëm, edhe ndaj dukurive tjera negative që do të ju paraqiten vendit…Unë jam shumë i kënaqur që brenda këtyre tri viteve nuk e kemi pas asnjë të vdekur”, tha Begaj.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se kanë zgjedhur Komunën e Malishevës për të qenë më afër qytetarëve të kësaj komune dhe zonave përreth, të cilat janë prekur nga e keqja e Etheve Hemorragjike.
Sipas Rrahmanit, angazhimi ndërinstitucional dhe kontributi i të gjithëve ka bërë që në tri vitet e fundit të mos ketë asnjë rast të vdekjes nga kjo sëmundje, e cila ishte bërë problematikë për vendin.
“Kemi tri vite që nuk kemi asnjë viktimë nga kjo sëmundje shumë e rëndë dhe kjo është falë angazhimit të të gjithëve. Unë si ministër i Shëndetësisë edhe në fillim të mandatit por edhe tash zotohem që këto punë të nevojshme dhe të domosdoshme për shtetin dhe shëndetësisë ne t’i shtyjmë dhe t’iu gjendemi afër. Ne sot kemi pas dëshirë që te jemi këtu në mënyrë që edhe qytetarët e Malishevës dhe zonave përreth, zona më të prekura në Kosovë nga kjo e keqe tu jemi afër dhe ata ndjejnë praninë tonë… por unë them se të vazhdohet edhe më punë më intensive , më vuliminoze, dhe nuk kemi dilema se si do dukej të flasim edhe vitin tjetër pa viktima”, tha Rrahmani.
Ndërsa, doktori Naser Ramadani nga IKSHPK tha se do të ishte fat i mirë nëse edhe në vitin 2017 nuk shënohet asnjë rast nga kjo sëmundje.
Gjithashtu ai tregoi se 26.7 për qind e territorit të Kosovës është prekur nga sëmundja e Etheve Hemorragjike, e ku Komuna e Malishevës ka pas 76 raste me 18 të vdekur.
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci ka treguar për masa të cilat janë ndërmarr në kuadër të agjencisë që ai drejton.
“Janë realizuar katër faza të repilimit, ku faza e para ka filluar më 14 mars 2016 dhe ka përfunduar me 21 prill 2016…Gjatë vitit 2017, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka paraqitur edhe kërkesën për buxhet shtesë gjithherë duke pasur parasysh edhe sukseset, të cilat janë arritur në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional”,tregoi Gjinovci.
Në këtë takim morën pjesë edhe drejtorët e Shëndetësisë nga komuna e Rahovecit dhe Suharekës, të cilët kanë kërkuar që edhe më tej të merren masa, pasi nuk guxojnë të ndihen rehat derisa nuk luftohet në përgjithësi kjo sëmundje.
Megjithatë, ata theksuan se edhe në komunat e tyre ka rënie të të prekurve nga kjo sëmundje.
Ndryshe, në Klinikën Infektive janë hospitalizuar 55 raste të dyshimta me ethe Hemorragjike që kanë ardhur nga zonat endemike./KP