Pas tetëmbëdhjetë muajve, sot është mbledhur Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian, ku u kërkua nga Bashkim Evropian që Kosova mos të ketë kritere të cilat nuk e kanë pasur vendet tjera për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Presidentit i Shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në debatin ku ishin të pranishëm ambasadorët e huaj në Kosovë, si dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, thanë se falë tyre Kosova ende “gëzon” privilegjin për të qenë vendi më i izoluar.
Por për këtë përfaqësuesi i Bashkimit Evropian është deklaruar se Kosova ka bërë progres shumë të rëndësishëm në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave, dhe se progresi i liberalizimit të vizave është krejtësisht në duar e Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se sot se është e papranueshme që qytetarët e Kosovës janë të vetmit që janë të privuar për të lëvizur pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas Thaçit, Kosova si asnjë vend tjetër në rajon ka zbatuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE për liberalizim të vizave, ndërsa, sa i përket marrëveshjes së demarkacionit nuk ka nevojë të diskutohet sepse sipas tij kjo marrëveshje është e drejtë dhe është në interes për dy shtetet.
Megjithatë, presidenti Thaçi tha se izolimi i kosovarëve duhet të marrë fund sa më shpejt, por fatkeqësisht Bashkimi Evropian duke mos u turpëruar fare po i mban të izoluar qytetarët tonë.
“Si president i vendit inkurajoj institucionet e vendit dhe partitë politike të tejkalojnë dallimet dhe ta marrin vendimet e duhura. Askush nuk ka legjitimitet qytetar dhe kapit politik për të devijuar rrugën evropiane…të mos kemi keqkuptime. Kosova i gëzohet çdo vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e së cilit shtet por nuk pranon të diskriminohet në mënyrë të hapur dhe turpërues nga BE”, tha Thaçi.
Deklarata të adresuar për ambasadorët pati edhe nga kryekuvendiari, Kadri Veseli, i cili tha që falë tyre Kosova po ‘gëzon’ privilegjin për të qenë e izoluar.
“Të nderuar ambasador të Bashkimit Evropian, jemi vendi i vetëm, populli i vetëm që e gëzojmë ende nga ju privilegjin për të qenë të izoluar, për të iu nënshtruar radhëve të gjata…se kur do ët kemi një termin vetëm për me shku me marrë vizën, pastaj për vizë shohim a ia japim, apo nuk ia japim. Është krejtësisht e padrejtë që një shteti dhe një populli Evropian siç jemi ne të i vihen barrierat e tilla…ritheksoj qëndrimin tim edhe për kolegët tanë politikanë të pozitës dhe opozitës se ne fakt e mbajnë një pjesë më të madhe të fajit, se me kenë qenë pak më të bashkuar edhe ju na kishit trajtuar në mënyrë pak më dinjitoze”, tha Veseli.
I pari i Qeverisë u pajtua me parafolësit e tij, Thaçin e Veselin për kriterin e liberalizimit të vizave, por ai potencoi se kushti për shënjimin e pikës kufitare me Malin e Zi, e shfrytëzoi opozita duke krijuar kauzë politike.
“Ne duhet të zbatojmë një kritere të njëjtë që të gjitha kriteret që vlejnë për të tjerët të vlejnë edhe për Kosovën…me kriterin e shënjimit të vijës kufitare jemi ardhur në një situatë që opozita e ka shfrytëzuar këtë për të bllokuar procesin e liberalizimit dhe për të krijuar kauzë politike nga ky kriter andaj konsiderojmë që ky kriter duhet të rivlerësohet dhe duhet të hapet mundësia që ne të trajtohemi njëjtë ashtu siç trajtohen vendet tjera”, tha Mustafa.
Mirëpo, përfaqësuesi i zyrës së Bashkimit Evropian, Luigi Brusa, është deklaruar se liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës është në duart e institucioneve të Kosovës.
“Kosova ka bëre progres shumë të rëndësishëm në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave. Si rezultat, institucionet e Kosovës dhe ligjet janë në një formë më të mirë sot për përmbushjet e obligimeve. Në bazë të kësaj, komisioni në maj të vitit 2016 ka propozuar transferimin e Kosovës në listën shengen, duke theksuar deri ën ditën e miratimit të këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova duhet të ketë të ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi dhe të ketë luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Progresi në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është plotësisht ën duart e Kosovës. Zonja dhe zotërinj , topi është ën portën tuaj. Nëse Kosova përmbush kriteret për liberalizimin e vizave dhe prioritetet e agjendës evropiane për reformim do jeni në gjendje edhe më të mirë sesa tash dhe do përfitoni nga marrëveshja e MSA-së ekonomikisht dhe politikisht”, tha ai.
Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian është mbledhur nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të diskutuar rreth proceseve integruese. Ky këshill është bojkotuar nga pesë organizatat joqeveritare, me arsyetimin se materiali iu është dërguar me vone, pa agjendë, dhe se në të janë ftuar vetëm tri organizata nga shoqëria civile, e jo pesë siç kanë qenë më herët./KP