Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të protestuar për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari.
Protestës së organizuar nga pjesëtarë të shoqërisë civile i janë bashkuar edhe zyrtarë të Vetëvendosjes, kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, etj.
Protestuesit mbanin parulla me anë së cilës kërkohej drejtësi për tashmë të ndjerin dhe dorëheqje të zyrtarëve përgjegjës.
Me pankarta në duar dhe brohoritje për dorëheqje të Qeverisë, protestuesit kanë ndaluar para Teatrit Kombëtar ku folësit kanë kërkuar hetime të pavarura për Deharin si dhe dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Besa Luzha tha se rasti i vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është diçka e tmerrshme dhe se askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë. Ajo tha se është e pafalshme që në Kosovën demokratike të ndodhin vdekje të këtij lloji.
“Ka ngjarë një ngjarje e tmerrshme. Qe një javë kërkush nuk ka marr përgjegjësi. Një jetë e pafajshme është marr në një institucion ku është në duart e shtetit dhe është dashtë me qenë më i sigurt, nga aty ka dal i vdekur. Asnjëri nga ju pa marrë parasysh bindjet politike që i keni nuk bën me u pajtuar me këtë. Sot kemi ndalur të gjithë këtu pa marrë parasysh bindjeve tona nëse apo kemi jo politike çfarëdo që janë, me kërku drejtësi për Astritin dhe për gjithë Astritët e tjerë. Ministrja e Drejtësisë me marrë përgjegjësi ose le ta liron detyrën nëse nuk është e zonja me e kry”, tha Luzha.
Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari, shpreh habinë e tij se si pas nëntë ditësh asnjë nga gardianët e burgut të Prizreni që kanë qenë në punë ditën kur ka vdekur Astriti janë ende aty.
Gashi tha se shteti është përgjegjës për vdekjen e Astritit i cili nuk arriti ta ruante përderisa ishte në paraburgim. Madje ai hedh dyshime se Astriti është vrarë më herët se koha e shëtisë.
“Ata gardianë të cilët kanë qenë prezent në ditën që ka vdekur Astriti janë edhe sot në punë. Asnjëri prej tyre nuk është larguar dhe nuk janë izoluar apo transferuar në burgje të tjera edhe të burgosurit e tjerë posaçërisht ata që kanë qenë në dhomë me Astritin. Do të thotë gjithçka ende është në dorë të tyre, do të rregullohen deklaratat që të kenë një kuptim dhe gjithçka mund të ketë kuptim përveç vdekjes së Astritit, që definitivisht nuk ka asnjë kuptim, përveç që shteti është përgjegjës për vdekjen e tij dhe shteti thjesht nuk e ka ruajtur” tha Gashi.
Ndërsa Jeta Berisha tha se institucionet e vendit e kanë neglizhuar këtë rast dhe për këtë arsye kërkohet që të bëhen hetime të pavarura ndërkombëtare për vdekjen e Astritit.
“Vdekja e Astritit u bë në rrethana misterioze dhe të dyshimta, për të cilat tashmë janë bërë nëntë ditë që askush nuk dha përgjegjësi. Për më shumë ata tentuan ta mjegullojnë rastin me deklarata të pabaza por ne këmbëngulim deri në zbardhjen e këtij rasti. Neglizhenca ndaj Astritit i bie të jetë edhe neglizhencë ndaj çdo qytetari, neglizhenca që i bëhet qytetarit rritë rezistencën deri në drejtësi”, tha Berisha.
26 vjeçari Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Dehari ishte arrestuar më 30 gusht si i dyshuar se bashkë me pesë aktivistë tjerë të VV-së kanë sulmuar me bombë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Vdekja e tij ka ngjallur shumë reagime në opinion, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë rezultat nga hetimet përveç rezultatit të parë të autopsisë në bazë së cilës Dehari ka vdekur si pasojë e mungesës së frymëmarrjes.
Lëvizja Vetëvendosje dhe familja Dehari dyshojnë në hetimet për vdekjen e Astritit.
Dehari është varrosur të martën që shkoi në varrezat e Zllatarit në Prishtinë. Ai pas vetes la bashkëshorten shtatzënë, prindërit dhe motrën. /KP