Aktuale

QKUK vendi ku shkojnë për tu shëruar por infektohen

Shumë pacientë që shkojnë për shërim në spitalet kosovare nga këto të fundit ndodh të kthehen me infeksione.Se shkalla e infeksioneve spitalore në Kosovë është shumë e lartë e konfirmon edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Më saktësisht, mikrobiologu Lul Raka ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se dy të tretat e pacientëve kosovarë marrin infeksione spitalore.

Sipas tij, Kujdesi Intensiv dhe ai i Kirurgjisë janë më të rrezikuarit nga këto infeksione.

“Infeksionet janë pjesë e pandashme e kujdesit shëndetësor në të gjitha shtetet e botës. Në kujdesin intensiv të shteteve më të zhvilluara në botë çdo i katërti pacient merr infeksion spitalor, kurse në vendet e pazhvilluara, ku bën pjesë edhe Kosova, dy të tretat e pacientëve marrin infeksione spitalore. Kujdesi intensiv edhe repartet e kirurgjisë janë pjesët më të rrezikshme”, ka deklaruar ai.Raka ka treguar se Kosova nuk ka asnjë nënkategori buxhetore për infeksione të tilla.“Kosova nuk mban asnjë kategori nënbuxhetore për parandalimin e infeksioneve spitalore. Pa buxhet është më vështirë. Problemet më të mëdha janë në spitale, sepse është kujdesi i nivelit më të lartë. Duhet të ketë mbështetje institucionale dhe mbikëqyrje të rregullt në reparte të ndryshme, të cilat janë më të shpeshta për adresim. Duhet të ketë bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar”, ka thënë ai..