Që nga viti 2014, deri në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka ofruar mbi 3 milionë shërbime shëndetësore për pacientë, me mbi 141 mijë operacione të ndryshme të realizuara në QKUK dhe shtatë Spitalet e Përgjithshme që veprojnë në kuadër të SHSKUK.
Sipas një komunikate, nga vitit 2014, deri në gjashtëmujorin e parë të 2017, në SHSKUK kanë qenë të shtrirë 603 mijë pacientë në klinika dhe reparte të ndryshme në QKUK dhe Spitalet e Përgjithshme.
Janë ofruar 9.2 milionë shërbime laboratorike, 4.5 milionë shërbime ambulantore dhe 6 milionë shërbime diagnostike dhe shërbime të tjera. Sa i përket lindjeve, gjatë kësaj periudhe, ka pasur 81 667 lindje të raportuar nga të gjitha njësitë. Nga viti 2015 deri në periudhën e gjashtëmujorit 2017, janë kryer 287 859 shërbime të dializës nga të gjitha njësitë. Janë kryer 78 mijë shërbime të tomografisë së kompjuterizuar (CT), në nëntë(9 CT) që funksionojnë në të gjitha njësitë e SHSKUK, po ashtu në një (1) rezonancë të vetme magnetike në sektorin publik, janë kryer 20 mijë shërbime. Për periudhën kohore të cekur më lartë janë kryer 1458 stentime, 3513 koronografi dhe 257 pejsmejkerë”, thuhet në komunikatën e QKUK-së./KosovaPress/