Ekonomi

Qindra miliona humbje në mungesë të kodit dhe domenit

Në mungesë të kodit telefonik dhe domenit, Kosova përllogaritet të ketë humbur qindra miliona euro. Përveç humbjeve financiare, vendi ynë humb edhe në aspektin politik. Sipas të dhënave që nga pas lufta e këndej në mungesë të kodit telefonik vendi ka humbur afër 800 milionë euro. Qindra miliona tjerë janë duke humbur edhe në mungesë të domenit si shtet.

Qeveria asnjëherë nuk e ka zbatuar rezolutën e cila ishte nxjerrë në vitin 2012 në Kuvendin e Kosovës, që deri në marrjen e kodit shtetëror të shfrytëzohet kodi i Republikës së Shqipërisë.

Neglizhenca e autoriteteve më të larta në vend, ka bërë që Kosova të humb qindra miliona euro në këto çështje. Kështu thotë Raif Qela, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

“Kosova deri më tani në mungesë të kodit të vet telefonik, prej luftës e këndej sipas disa prej eksperteve, llogaritet që i ka humbur diku në mes 600-800 milionë euro, pavarësisht se ARKEP e jap një shifër më të vogël rreth 220 milionë euro. Pasojat janë tepër të mëdha jo vetëm në aspektin ekonomik, edhe aspekti politik që janë aspekte që është dashur të trajtohen shumë më herët nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që të bëjnë zgjidhje dhe mos të lejojnë që Kosova një vend kaq i vogël t’i ketë tre kode telefonike të shteteve të huaja. Monako telekomit, telekomit të Sllovenisë dhe të Serbisë.”, tha Qela.

Ai po ashtu ka shtuar se Qeveria asnjëherë nuk e ka zbatuar rezolutën e cila ishte nxjerrë në vitin 2012, në Kuvendin e Kosovës, që deri në marrjen e kodit shtetëror të shfrytëzohet kodi i Republikës së Shqipërisë.

“Sa do që ka pasur mundësi që kjo çështje të zgjidhet shumë më mirë nga zgjidhja alternative. Institucionet tona nuk janë treguar të vëmendshme dhe këmbëngulëse që të gjejnë alternativë….Alternativa ka qenë kjo. Kuvendi i Kosovës i vitit 2012, në shtator e ka nxjerrë një rezolutë me të cilën e ka obliguar Qeverinë që të angazhohet në bashkëpunim me Republikanë  Shqipërisë, ta huazoj kodin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë që t’i heq tre kodet e huaja të tjera….Dëmet janë tepër të mëdha, institucionet tona janë tepër neglizhente lidhur me këtë.”, tha Qela.

E njëjta situatë me dëme më të vogla materiale është edhe çështja e internetit, ku sapo të hapësh një faqe të internetit, identifikimi në bazë të IP adresës të jep me automatizëm që je qytetarë i Serbisë. Kurse, nëse hynë me IPKO nga telefoni të del se je qytetarë i Sllovenisë.

Edhe kjo në një farë mënyrë, sipas Qelës është e dëmshme dhe me pasoja politike. Kosova deri tani është dashur të ketë kodin e huazuar të Austrisë, kështu të paktën parashihet me marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Por kjo e fundit qysh me fillim të këtij viti ka pezulluar zbatimin e çfarë do marrëveshje që ka arritur në Bruksel për Kosovën.

Ministrja pa Portofol, Edita Tahiri, përmes një interviste telefonike ka thënë se Kosova në vazhdimësi është angazhuar për kodin telefonik por që Serbia është ajo e cila po e pengon marrjen e kodit.

“Vazhdimisht Qeveria e Kosovës, në të gjitha këto mandate që ka kaluar tre, katër mandatë janë angazhuar që kodi të sigurohet nga ITU. Mirëpo, pengesat për neve kanë qenë se Kosova nuk ka qenë anëtare e OKB-së …. Dialogu i Brukselit ka mundësuar që një shtet i tretë të aplikoj për Kosovën dhe kjo është bërë përmes Austrisë në janar të këtij viti, mirëpo krahas kësaj, dialogu edhe marrëveshja për telekomin thotë që pala serbe duhet të heq pengesa, me fjalë të tjera të njoftoj ITU-në që nuk e pengon Kosovën për marrjen e kodit telefonik shtetërorë. Për t’u arritur kjo pala serbe është dashur të përmbush këtë obligim me 1 mars të këtij viti, por prej asaj kohe siç ju kemi njoftuar Serbia ka bllokuar, kodin telefonik për Kosovën, ka bllokuar marrëveshjen për energjinë, përkatësisht nisjen e veprimit të pavarur të KOSTT-it”, tha Tahiri.

Tahiri ka shtuar se pas marrjes së kodit, Kosova vendos marrëdhënie me ITU-në. Kjo sipas saj, mund të hap rrugët që vendi të anëtarësohet edhe në organizata të tjera që do të mundësojë marrjen e domenit.

Kurse, kryetari i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi thotë se humbjet në mungesë të kodit janë të mëdha. Ndërsa, sa i përket çështjes së domenit Gashi beson që pas marrjes së kodit do të mund të krijohet mundësia për marrjen e domenit shtetëror.

‘Mungesa e kodit Ndërkombëtar telefonik ka shkaktuar damë të madh operimit të telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë që nga paslufta…Në bazë të një vlerësimi që është bërë prej rregullatori  ARKEP-it, janë humbje të shkaktuara direkt tek operatori, janë rreth 220 milionë euro nga pas lufta e deri më tani. Si të tilla kanë shkaktuar probleme në tregun e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë sepse gjitha ato humbje janë paguar prej konsumatorëve tanë…Çështja e domenit është çështje që i takon organizatës IKEN, e cila është me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi duke e bërë një analizë të veçantë dhe mendojmë që aty të aplikojmë në mënyrë të pavarur. Çështja e domenit dhe internetit nuk është çështje që lidhet direkt me kodin”, tha Gashi.

Ai vlerësoi se edhe domeni i internetit ka pasur ndikim sidomos në zhvillimin e bizneseve.

“Nuk mund të themi direkt sa janë humbjet për shkak të mungesë së domenit për shkak se janë përdorur domen kryesisht ndërkombëtar, internacionale…. Megjithatë mos pasja e një domeni të tillë e ulë besueshmërinë e ueb faqeve që kanë të burime Kosovën. Si rezultat e ulë mundësin e krijimit të bizneseve online nëpërmjet domenit shtetëror”, tha Gashi.
Ndërsa, si përket ofruesve të internetit, Gashi ka treguar se në Kosovë aktualisht janë katër kompani të cilat furnizohen me internet prej vendeve të ndryshme, varësisht ku e gjejnë burimin më të lirë. Sipas tij, burimet e internetit varen prej qasjes të shteteve evropiane. /KP