Pas anulimit të testimin ekstern dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, është premtuar edhe një maratonë e madhe e ndryshimeve ligjore nw Maqedoni. Ndër hapat e parë që LSDM-ja ka premtuar është edhe decentralizimi i buxhetit. Këto ndryshime të parapara edhe në programin qeveritar do të ndihmonin komunat në rritjen e kapaciteteve të tyre dhe mbulimin e shpenzimeve komunale.
Qeveria ka premtuar ndryshime edhe në ligjin për rrogën minimale dhe mesatare si dhe në sferën e drejtësisë. Programi i Qeverisë parashikon ndryshime ligjore me qëllim rritjen e transparencës së Këshillit Gjyqësor si dhe ndryshime në ligjin për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë.
“Do të ketë rizgjedhje të gjykatëseve, sipas praktikave të njohura evropiane larg duarve të politikanëve. Do të formojmë departament të veçantë në Gjykatën Themelore Shkupi 1, që do të merret me lëndët e Speciales”, u shpreh Zoran Zaev kryeministër.
Ndryshime ligjore pritet të ketë edhe në ligjin për noter dhe përmbarues, ligjin e taksave gjyqësore, shërbimet gjyqësore, abrogimin e ligjit për caktimin e llojit dhe matjen e lartësisë së dënimit dhe mbi gjitha miratimin e ndryshimeve në ligjin për dëshmitarë dhe ligjin për mandatin e PSP-së.
Në lidhje me përdorimin e gjuhëve, Qeveria do të propozojë zgjidhje ligjore për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe, gjuhë që e flasin të paktën 20% e qytetarëve. Në shpalosjen e programit qeveritar, kryeministri Zoran Zaev kishte paralajmëruar se çdo ndryshim ligjorë dhe ndërhyrje legjislative do të merret në konsultim me ekspert juridik dhe kushtues.
“Për të gjitha punët të cilat mbeten të hapura, do t’i mbeten detyrë atyre që din më shumë se në politikanët, ata janë ekspertët kushtetues. Neve këtë na e kanë thënë ekspertët. Ka mundësi që ekspert tjerë nga opinioni të konstatojnë ndryshe, por në fund debati do të përcaktojnë çfarë është kushtetuese dhe çfarë jo”,tha Zaev.
Ndryshime ligjore pritet të ketë edhe për taksat e energjisë elektrike, ndalimin e participimit spitalor, tatimi personal i bujqve dhe ndryshime ligjore me të cilat do të përcaktohet mandat i shërbimeve inteligjente vendase.