Aktuale

Qeveria thyen heshtjen, deklarohet për murin në veri

Muri ilegal i ndërtuar në fund të vitit të kaluar në qytetin e Mitrovicë do të rrënohet, premtojnë në qeverinë e Kosovës. Ndonëse, thonë se do të respektojnë rezolutën e Kuvendit, e cila e obligon ekzekutivin qe ta rrënojë këtë mur, në qeveri nuk tregojnë nëse muri do të rrënohet në janar.

Zëdhënësi i qeverisë, Faton Abdullahu thotë se pavarësisht ndjeshmërisë se rastit muri do të rrënohet.

“Për Qeverinë muri është ilegal dhe si i tillë do të trajtohet dhe ai do të rrënohet duke e pasur parasysh edhe obligimin që del nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës edhe nga ligjet në fuqi. Gjithsesi se në këtë qasje nuk do të ketë zmbrapsje e kanë thënë këtë të gjitha institucionet tona por edhe pushtetarët relevante, pavarësisht shkallës së ndjeshmërisë dhe mundësisë që ky akt të interpretohet ndryshe nga kushdo qoftë”, ka thënë Abdullahu.

Muri, sipas tij, është në kundërshtim me agjendën evropiane edhe kjo zëdhënësit, e obligon ekzekutivin që ta mbrojë çdo hapësire, kulturë apo politikë të Kosovës nga çfarëdo ndarje regresive.

Në bazë të rezolutës se miratuar në Kuvend nga të gjitha grupet parlamentare, ekzekutivi obligohet qe brenda janarit të rrënojë këtë mur.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike dhe të atyre të sigurisë kanë paralajmëruar se rrënimi i këtij muri mund të çojë në tensionimin e situatës në veri të vendit./Indeksonline/