Aktuale

Qeveria thotë se demarkacioni procedohet pas seancës për mocionin

Qeveria e Kosovës njofton se procedimi i demarkacionit në Kuvend do të ndodhë pas seancës ku do të votohet mocioni i opozitës.

Në një komunikate dërguar mediave bëhet me dije se për këtë janë pajtuar partnerët e koalicionit e ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e SHBA-ve.

Njoftimi i plotë i Qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e paraparë të mbahet sot, është shtyrë.

Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.