Me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, së bashku me përfaqësues të OJQ-ve, kanë marshuar nga Teatri kombëtar drejt sheshit “Zahir Pajaziti” për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ku u kërkua fuqizimi i përpjekjeve për promovimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se data e sotme, është ditë e veçantë pasi iu bëhet referencë vlerave universale të të drejtave të njeriut. Ai tha se të gjitha kategoritë që u mohohen të drejtat elementare duhet të trajtohen njësoj, përderisa theksoi se rastet më të shpeshta të mohimit të të drejtave të njeriut janë rastet ekonomike.
“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës të Kosovës, që t’i adresojnë me prioritet çështjet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe t’i ofrojë përkrahje më të fuqishme institucionale në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe OJQ-ve”, tha ai.
Kryetarja e Rrjetit të Grave, Igballe Rugova tha se edhe pse kanë kaluar 70 vjet që nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, në botë ende nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit.
Ajo tha se kjo ditë është ditë e bashkimit për të ngre lartë zërin e popullit për të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Kjo është një ditë e veçantë sepse kemi dalë bashkarisht të ngremë zërin edhe për të drejtat e të gjithë njerëzve në Kosovë për të drejtat e grave, për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e të rinjve, për të drejtat e komuniteteve, e LGBT dhe për të gjitha të drejtave njeriut këtu në Kosovë”, tha ajo.
Luljeta Demolli, përfaqësuese e organizatave për të drejtat e njeriut, tha se ky marsh shënon Ditën e të Drejtave e Njeriut. Ajo e konsideroi të rëndësishëm faktin se numër i madh i organizatave janë bashkuar për të kërkuar të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit.
“Jemi një numër i madh i organizatave që jemi aktive dhe e kemi nën ombrellë mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha ajo.
I pyetur se si ndihen që askush prej zyrtarëve qeveritar nuk ka marrë pjesë në këtë marsh, Jashari tha se shpreson që të gjithë të kenë marrë mesazhin, meqenëse qëllimi ishte që të gjithë të vetëdijesohen dhe krahas kësaj të punohet për sigurimin e çdo të drejte jetësore.
Ndryshe, kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua më 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara./KP/