Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Projektligjit i janë bashkuar edhe të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, i cili pas një pune disa javëshe ka konstatuar se Marrëveshja aktuale është e gabuar.
Procedimit të Demarkacionit në Kuvend i ka paraprirë një prezantim nga ana e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror para Qeverisë së Kosovës. Anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se Marrëveshja e arritur me Malin e Zi në gusht të vitit 2015, nuk është në përputhje me vijat ekzistuese kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës.
Por, rreth këtyre të gjeturave, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha se ato vetëm sa e kanë komplikuar situatën dhe nuk kanë prezantuar fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë se Marrëveshja e vitit 2015, me Malin e Zi ka qenë e dëmshme apo e gabuar.
“Unë dëgjova vlerësime shumë të përgjithshme, pa ndonjë provë materiale dhe jo ndonjë fakt konkret. Nuk ishit konkret, nuk pash ndonjë qartësi të re. Kur kemi marrë vendim në mbledhje të Qeverisë kam thënë se kur tema janë komplekse. Është detyre e komisioneve dhe politikës që t’i thjeshtojë. Sot e kam përshtypjen që e keni komplikuar edhe ma shumë situatën”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq, kryesuesi i komisionit, Shpejtim Bulliqi tha se ish-komisioni shtetëror nuk ka përdorur shumë fakte të cilat i kanë pasur dhe janë pajtuar vetëm me ato që ka ofruar Mali i Zi.
“Si rezultat i të gjitha këtyre të gjeturave, në punën e ish-komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen Kufirit shtetëror, Komisioni ynë ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në Marrëveshje për kufirit e shtetit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur më 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”, tha Bulliqi.
Anëtare e komisionit gjatë prezantimit të të gjeturave dhe prezantimit të hulumtimeve thanë disa herë se ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat, duke i lejuar vetës t’i futet përcaktimit të vijës së re mes Kosovës dhe Malit të Zi, pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake.
Aty u theksua se ish-komisioni ka qenë i thirrur të shënjojë vijën e dikurshme kufitare dhe në asnjë mënyrë të shënjojë vijë të re kufitare me Malin e Zi.
Komision ii ri për vijën kufitare është emëruar pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës, nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e kishte kundërshtuar që nga fillimi Marrëveshjen për demarkacionin, të cilën, në gusht të vitit 2015, e kishin nënshkruar ish-ministri i Jashtëm dhe presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Isa Mustafa.
Sidoqoftë, fjalën përfundimtare rreth Demarkacionit pritet që ta japë Kuvendi i Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve, apo 80 vota për nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.