Aktuale

Qeveria përkrah prokurimin publik transparent dhe efikas

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën prezantuese të Strategjisë së Prokurimit Elektronik, njofton kumtesa qeveritare.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha, përfaqësuesit e tjerë të fushës së prokurimit publik, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Komisionit Evropian, të komunitetit të bizneseve e të tjerë.

Kryeministri Mustafa tha se Strategjia Kombëtare e Prokurimit Publik për periudhën 2017-2021, është një prej strategjive shumë të rëndësishme për vendin tonë.

“Konsideroj se është fjala për një strategji, e cila i plotëson të gjitha kriteret dhe mund të ndikojë në përmirësimin e këtij procesi që është shumë i rëndësishëm për ne, nga vetë fakti që edhe në strategji është vlerësuar se diku nga 9-12 për qind e bruto produktit vendor kapërcen përmes procedurave të prokurimit publik dhe është pjesë e prokurimit publik ose mbi 33 për qind e buxhetit të Kosovës në vit, shpenzohet për investime kapitale ose investime tjera, për të cilat zhvillohen procedurat e prokurimit publik. Për ne është e rëndësishme që pastaj të përplotësohen këto komponentë që janë përfshirë në strategji, që është komponenta e efikasitetit dhe e transparencës, të cilën ne dëshirojmë ta rrisim edhe njërën edhe tjetrën. Pastaj, të ngritjes së kapaciteteve, të harmonizimit të legjislacionit me legjislacionin evropian, të zhvillimit të sistemit të komunikimit ndërmjet palëve në këtë proces dhe me komunitetin, në mënyrë që të gjitha veprimet të jenë transparente, deri te aplikimi i prokurimit elektronik, që është një fazë shumë e rëndësishme për ne”, tha Mustafa.

Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë dhe përkrahë të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, AQP-në (Agjencia Qendrore e Prokurimit), Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, por edhe Ministrinë e Financave, në mënyrë që ky proces të jetë sa më efikas dhe sa më transparent.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se avancimi i sistemit të prokurimit publik është prioritet i Qeverisë së Kosovës.