Aktuale

Qeveria paralajmëron rritje të pagave në arsim, shëndetësi dhe për shërbyesit civil

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, që të shikojë mundësitë për rritje të pagave për shërbyesit civil, punëtorët shëndetësor dhe për ata në arsim.

Muatafa në mbledhjen e Qeverisë tha se kanë konstatuar se ka qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizja të mira ekonomike, gjë që mundëson dhe lëvizje të pagave.

 

“Kemi konstatuar se kemi një qëndrueshmëri të mirë buxhetore. Gjatë kësaj periudhe kemi lëvizje të mira ekonomike, tash në suaza të kësaj, unë do të dëshiroja të kërkoj nga MF që në mbledhjet e ardhshme, prapë në koordinim me FMN-në, të propozoj dhe mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civil dhe njerëzit tjerë, që punojnë në arsim dhe shëndetësi në gjysmën e këtij viti, në mënyrë që të përgatitemi dhe gjatë rishikimit të buxhetit t’i kemi këto komponentët dhe pastaj të zbatojmë në të ardhmen në mënyrë automatike rritjen e pagave, sipas rritjes ekonomike. Unë konsideroj se rritje kemi pasur gjatë këtyre dy viteve të konsiderueshme, të cilat na mundësojnë tash një lëvizje sa i përket rritjes së pagave në të ardhmen, por do të kemi parasysh edhe sektorin privat, në mënyrë që mos të ketë diferenca shumë të mëdha, të cilat pastaj nxisin ikjen e kuadrove, prej një sektori në sektor in tjetër. Kishim kërkuar që MF të vjen me një propozim të caktuar, gjatë përgatitjes së ndryshimit dhe plotësimit të buxhetit për vitin e ardhshëm ”, tha ai.

Ndërkaq kërkoi nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani që ta informojë kabinetin qeveritar, lidhur me problemin rreth konkursit për mjek specialist, pas vendimit të Inspektoratit për anulim të këtij konkursi. Rrahmani tha se kanë kërkuar që vendimi i Inspektoratit të anulohet dhe të procedohet më tutje.

 

“Duke u bazuar në kërkesat apo nevojat e SHSKUK-së dhe faktit në liste të profileve të specialistëve që i kemi pasur të specializuar, ne kemi shpallë konkursin për SHSKUK dhe për IKSHP dhe një pozitë për Qendrën Kombëtare të transfuzionit të gjakut. Më vonë mendojmë që është krijuar një situatë e panevojshme, me vendimin e Inspektoratit të Punës, që të ia mohon të drejtën ligjore MSH-së, për shpalljen e konkursit për punësimin e këtyre specialistëve në SHSKUK, gjë që mendoj që nuk mund të ndodh ndryshe, pa rishikim të buxhetit, sepse ne i kemi mjetet në MSH dhe i kemi pozitat në MSH që burojnë nga ligji aktual i buxhetit. Mendoj që kryeinspektori i punës, duhet ta anuloj vendimin e inspektorit përkatës dhe ne të procesojmë tutje.. Nuk ka mundësi ligjore që ne t’i bartim këto pozita në SHSKUK pa ndryshimin në ligjin e buxhetit. Kjo është informata dhe jemi të vendosur që ta shtyjmë tutje dhe t’i shfrytë zojmë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale, për vazhdimin e procedurave të rekrutimit të specialisteve të papunë të këtyre 220-ve”, tha ai.

Kryeministri Mustafa kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Punës dhe Mirëqenies sociale, që të bëjnë punën e tyre dhe ta përmbyllin këtë proces, në mënyrë që mos të pësojnë mjeket specialist.

 

“Ne të insistojmë si Qeveri që ta kryeni punën në mënyrë që mos të pësojnë specializantët për shkak të procedurave të cilat po zhvillohen. Që të sqarohet qartë dhe në pikëpamje ligjore, sepse me buxhet mjetet janë përcaktuar në MSH. Konkurs shpall ai që e ka buxhetin, harmonizimi duhet të bëhet me SHSKUK-në, në pikëpamje të kuadrove dhe me institucione tjera, por duhet të bashkërenditen punët ndërmjet MSH dhe MPMS, në mënyrë që pastaj të mos mbetet çështje e vullnetit të individëve. Ne ligjin do ta zbatojmë maksimalisht, por nuk duhet të lejojmë që të pësojnë njerëzit që kanë konkurruar. Unë kisha kërkuar prej dy ministrive që ta bëni punën tuaj, ta përmbyllni këtë proces”, tha ai.

Qeveria e Kosovës po ashtu ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për presidentin e Republikës së Kosovës, sipas së cilit do të barazohet statusi i presidentit me statusin e bartësve tjerë të pozitave të larta dhe se kjo i takon edhe ish-presidentëve pas vitit 2008.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se me këtë barazohen presidenti i Kosovës, ish presidentët me pozitat e larta të tjera si ajo e kryeministrit, kryetarit të gjykatës kushtetuese dhe kryeprokurorit të shtetit.

 

“Ky ka të bëjë me një ndryshim i cili konsiston që të kemi një legjislacion të barabartë dhe për presidentin e Kosovës të ish zyrtarit të lartë të Republikës së Kosovës, ngase me ligjin paraprak, ka qenë i përjashtuar Presidenti i Republikës së Kosovës. Me ketë nen barazohet Presidenti i Kosovës, ish Presidentët me ish-kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorit të shtetit”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ndarë 80 mijë euro për sanimin e kulmit të shkollës fillore “Ramë Bllaca”, në Bllacë të Suharekës. Mjetet janë ndarë për mbulimin e dëmeve që janë shkaktuar nga zjarri, ditë më parë.

Qeveria po ashtu ka ndarë 9 mije e 600 euro, për Shoqatat familjare të të zhdukurve të Kosovës, për aktivitetet që kanë këto shoqata, si dhe ka emëruar Bekim Hoxha, drejtor të përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit civil, për një mandat tre vjeçar./KP