Qeveria në largim e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar nismën për aderimin e Kosovës në Organizatën ndërkombëtare të Policisë -Interpol.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj tha se i kanë ndërmarrë të gjitha masat për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Ndërsa tha se përveç aspektit ndërkombëtar, gjëja më e rëndësishme për Kosovën, do të ishte qasja e Policisë së Kosovës në të dhënat e Interpolit dhe që në të ardhmen Interpoli të mos keqpërdoret siç është keqpërdor gjatë këtyre viteve të fundit prej Serbisë, në raport me liderët dhe qytetarët e Kosovës.
Hoxhaj: I kemi marrë të gjitha masat për anëtarësim në Interpol
“ Ne kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme deri më tani që të sigurojmë mbështetje prej shteteve anëtare të Interpolit. Interpoli deri më tash ka 190 shtete që janë shtete anëtare. Duhen dy të tretat, së paku do të duhej të sigurohen rreth 110 shtete apo më shumë, varet nga prania e tyre në asamblenë e Interpolit sa do të jenë, me qëllim që të sigurojmë një anëtarësim të plotë. Aplikimi është bërë në vitin 2015 ka pasur një raport nga një këshilltar suedez, rreth asaj se a i plotëson Kosova dhe shtete tjera që mund të aplikojnë kushtet dhe raporti është shumë pozitiv për Kosovën, por duhet një ndërmarrje ndërkombëtare derisa të ndodh anëtarësimi jonë i plotë në këtë organizatë”, tha Hoxhaj.
Edhe kryeministri në largim Isa Mustafa, shpreson se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Interpol do të përfundojë me rezultat pozitiv në muajin shtator, atëherë edhe kur pritet të mblidhet Interpoli në Pekin të Kinës.
Mustafa: Kemi shanse të mira, për anëtarësim në Interpol
“ Përkrahim një nismë, e cila edhe unë vlerësoj se është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe pajtohem dhe me zëvendësministrin Selimi dhe ministrin Hoxhaj dhe punën që janë bërë nga dy Ministritë deri më tani dhe për rëndësinë shumë të madhe që e ka anëtarësimi jonë në Interpol dhe për të gjitha hapat që janë ndërmarrë dhe vitin e kaluar që ishim afër, por rrethanat ndërkombëtare ishin pak të tjera. Sivjet konsideroj se shanset janë shumë të mira. Puna është bërë, përkrahja ekziston”, tha kryeministri në detyrë.
Qeveria po ashtu i vazhdoi mandatin tre vjeçar sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Forcës së sigurisë së Kosovës Shkëlzen Syla, sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Arben Çitaku.
Qeveria po ashtu ia ka vazhduar mandatin edhe për tri vjet tjera kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës Basri Ibrahimi.