Më 27 prill Gjykata në Colmar të Francës pritet të marrë vendimin përfundimtar për ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit, është ndaluar në fillim të muajit janar në aeroportin e Bazelit nga ana e autoriteteve franceze mbi bazën e një fletëarresti serb.
Në anën tjetër, ende nuk dihet nëse do të organizohet pritje shtetërore për Haradinajn, nëse më 27 prill merret vendim pozitiv për liderin e AAK-së.
‘Indeksonline’, ka kontaktuar me këshilltarin e kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj për këtë çështje, por ai ka sugjeruar qe për këtë çështje të kontaktohet protokolli zyrtar i shtetit.
E, këshilltari për media, i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu ndonëse kishte premtuar se do të kthej përgjigje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ish komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit kishte thënë kohë më parë se nuk i duhet pritje shtetërore. Këtë ai e kishte quajtur të panevojshme duke shtuar se mjafton ta presin Anita më fëmijë dhe qytetarë të Kosovës.
“Kur të kthehem nuk dua pritje shtetërore. Kjo është e panevojshme. Mjafton të më presin Anita me fëmije dhe qytetarët e vendit tim”, kishte thënë Haradinaj në një interviste për mediet kohë më parë.
Ish kryeministri Hashim Thaçi kishte organizuar pritje shtetërore në vitin 2012 kur Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata në Hagë.
Presidenti aktual i vendit dhe ish kryeministri Haradinaj kishin mbajtur edhe një konferencë të përbashkët në ambientet e aeroportit./Indeksonline/