Rivitalizimi i kompleksit turistik Brezovica, mund të ndodhë vetëm pas privatizimit, proces ky që duhet të ndodhë, por për këtë qendër turistike, Qeveria e Kosovës dhe i gjithë procesi është kthyer në pikën zero. Ekspertët vlerësojnë se Qeveria nuk ka qenë as njëherë e gatshme për një qasje më serioze ndaj privatizimit të Brezovicës. Kryeministri Isa Mustafa thotë se këtë projekt është duke e penguar Serbia.
Ndonëse, drejtues të Qeverisë së Kosovës thonë se përkushtimi i tyre është që të punojnë shumë, në mënyrë që të gjejnë alternativë tjetër ose investitor tjetër që të zhvillohet ajo pjesë dhe të shfrytëzohen të gjitha ato potenciale të Qendrës turistike Brezovica.
Pasi nuk eci puna ashtu siç ishte parashikuar për këtë projekt. Kryeministri Isa Mustafa duke pretenduar se këtë projekt është duke e penguar Serbia, thotë se potencialet e Brezovicës i takojnë Kosovës, sepse është pasuri e jona natyrore dhe aset i Republikës së Kosovës dhe përkundër krekosjes nga Serbia dhe tendenca e saj që të pengojë projektet atje, askush nuk do të mund të pengojë asnjë projekt që zhvillohet në vendin tonë.
Ai thotë se me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Komitetit Ndërministror për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës, i datës 03.04.2015. Ky komitet është shpërbërë pasi që Marrëveshja për Partneritet Publik Privat për zhvillimin e Qendrës së Brezovicës është shkëputur në tërësi.
Mustafa thotë se për çdo projekt tjetër do të themelohet komision tjetër ndërministror për Brezovicën.
“Përkushtimi yni është që të punojmë shumë, në mënyrë që të gjejmë alternativë tjetër ose investitor tjetër… në mënyrë që ta zhvillojmë atë pjesë dhe t’i shfrytëzojmë të gjitha ato potenciale, të cilat janë atje, sepse i takojnë Kosovës, janë pasuri jona natyrore, janë asete të Republikës së Kosovës dhe përkundër krekosjes nga Serbia dhe tendenca e saj që të pengojë projektet atje, askush nuk do të mund të pengojë asnjë projekt që zhvillohet në Kosovë, në pasuritë natyrore të saj dhe në tokat e asetet e Republikës së Kosovës. Ne vetëm duhet të punojmë në tërheqjen e investitorëve të jashtëm, pjesë e kësaj pune është që të bashkërendisim me Kuvendin, në mënyrë që të procedohet edhe Ligji për Investime Strategjike, që na hapë mundësi që ne të tërheqim investitorë tjerë”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami i tha KosovaPress-it, se janë duke punuar për një plan B për privatizimin e kompleksit Brezovica,.
“Ne si ministri jemi duke punuar për një plan B për zhvillimin e projektit të Brezovicës dhe mandej do t’iu njoftojmë për vazhdimin dhe hapat e mëtejmë të cilat do i marrim bashkërisht si qeveri”, tha ministrja Bajrami.
Eksperti i turizmit, Zekë Çeku për KosovaPress thotë se plani B i Qeverisë për Brezovicën mund të jetë i ndërlidhur me Ligjin për Investimet Strategjike, por ai konsideron se kjo Qeveri ka dështuar dhe do të dështoi derisa mos të ketë qasje serioze ndaj këtij privatizimi.
“Si duket Qeveria nuk ka qenë kurrë një herë e gatshme që t’i çaste në mënyrë serioze procesit të privatizimit. Procesi i koncesionimit dështoj për shkak të pamundësisë së plotësimit të kushteve nga ana e investitorëve të përzgjedhur. Prandaj, tash në kuadër të këtij plani B, unë mendoj se aty është çështja, pra, Qeveria ka menduar që përmes ligjit mbi investimet strategjike, duke i shfrytëzuar ato mundësi të bënë përzgjedhjen e investitorëve strategjik dhe të hynë në negociata për një kontratë konform ligjit për zhvillimin e Brezovicës”, theksoi Çeku.
Ai tha se në Brezovicë dhe rajone tjera në Kosovë mund të investohet dhe mund të jenë profitabile, e po ashtu edhe mjaft atraktive.
“Unë konsideroi Brezovicën si një hapësirë turistike ose një rajon mjaft atraktive për investime, kisha dashur me besu se parimisht shteti e ka një avantazh, ka resurset që janë atraktive në treg, mirëpo për t’i realizuar investimet, për të gjetur investitorë strategjik konform Ligji për Investimet Strategjike duhen disa parakushte. Parakushti kryesor është se shteti duhet të hynë pa hile, kur e them këtë, Qeveria duhet të sillet konform pritjeve të investitorëve, duke ofruar të gjitha mundësitë për investimet e jashtme. Mirëpo, ta kontrolloj në mënyrë esenciale që mos të bëhen manipulime që procesi mos të degradohet për shkak të implikimeve negative që kemi pasur gjatë procesit të privatimit gjatë tërë kohës”, thotë Çeku.
Ai tha se nuk është për habi se Serbia gjithmonë do të bënë osbstruksione. Çeku shtoi se gabimi tjetër qeveritar, ka qenë edhe mungesa e kapaciteteve njerëzore të cilët janë marrë me projektin e Brezovicës. Sipas tij, MTI e cila është marrë me këtë proces nuk ka pasur kapacitete njerëzore profesionale, andaj, për këtë duhet të angazhohet Ministria e Financave me profesionit dhe ekspert.
Çeku tha se shteti duhet të ndërroi krejtësisht qasjen ndaj turizmit, pasi në Kosovë turizmi është brenga e fundit.
Ndryshe, historiku i procesit të dështuar i nisur që nga viti 2006
Projekti për zhvillimin e Brezovicës është shpallur nga Qeveria e Kosovës si projekt me interes kombëtar, me qëllim të realizimit të këtij projekti. Qeveria me vendimin e 09/62 të datës 22 shkurt 2012, ka themeluar Komisionin Drejtues Ndërministror për udhëheqjen e projektit për zhvillimin e Brezovicës.
Ky vendim është ndryshuar me vendimin e Qeverisë nr.09/22 të datës 3 prill të vitit 2015 për të ndryshuar anëtarët e Komitetit Ndërministrorë. Pas shpalljes së tenderit konkurrues ndërkombëtar dhe shpalljes së fituesit më datë 14 prill 2015, Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Komiteti drejtues ndërministror ka nënshkruar marrëveshje për partneritet publiko privat me partnerin privat Brezovica resort sh.p.k për dizajnimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe mirëmbajtjen e projektit për zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës.
Hyrja e plotë në fuqi e marrëveshjes ka qenë e kushtëzuar me përmbushjen e një sërë kushtesh paraprake, ndër të tjera me përmbushjen e një oferte financiare.
Përmes vendimit të Komitetit Ndërministror numër 01 të datës 17 dhjetor 2015, Qeveria e ka miratuar kërkesën e dorëzuar nga partneri privat për të zgjatur afatin e përmbushjes së kushteve paraprake deri më 31 maj 2016, mirëpo partneri privat ka dështuar prapë që të përmbushë këto kushte.
Qeveria ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Tregtisë për nxjerrjen e vendimit për shpërbërjen e Komisionit drejtues për udhëheqjen e projektit të Brezovicës dhe të shfuqizoj vendimet e Qeverisë së Kosovës për thellimin e Komisionit drejtues ndërministror për projektin e Brezovicës./KP