Aktuale

Qeveria nuk e heq “mjegullën”, nëse raporti i Bulliqit do të jetë pjesë e votimit për demarkacionin

Edhe pse është raportuar arritja e një marrëveshje mes partive të koalicionit qeverisës dhe LDK-së për votimin e demarkacionit, mbetet e paqartë nëse projektligjit për demarkacionin do t’i shtohet për votim edhe raporti i Komisionit Shtetëror të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

Pas lajmit për marrëveshjen mes kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj me kryeparlamnetarin Veseli dhe zëvendëskryeministrin Pacolli, Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media ku ka konfirmuar marrëveshjen.

Megjithatë në këtë komunikatë është thënë pjesë e projektligjit do të jetë edhe raportin e Komisionit Shtetëror për kufirin me Malin e Zi.

“Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatë.

Kjo deklaratë ka krijuar konfuzion nëse pjesë e votimit të projektligjit së bashku me deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç, do të jetë edhe raporti i Bulliqit.

Lajmi.net ka kontaktuar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës për të sqaruar këtë gjë.

Por, drejtori i Zyrës për Informim në Qeverinë Haradinaj, Halil Matoshi ka thënë se gjithçka është e thënë në komunikatë.

“ Gjithçka është e thënë në komunikatën e Qeverisë”, ka thënë Matoshi për lajmi.net, duke mos dhënë detaje tjera.

Marrëveshjen e arritur mes parterëve të koalicionit e ka përshëndetur edhe LDK e cila kishte kërkuar që në votim të marrëveshjes për demarkacionin mos të jetë raporti i Bulliqit.

Avdulla Hoti shef i grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë për Radio Kosovën se ky raport do të jetë vetëm informues për deputetët.

Seanca e radhës për demarkacionin do të jetë të mërkurën. Ndërsa që Kuvendi kishte dështuar që ta votojë këtë marrëveshje gjatë të enjtes dhe të premtes, për shkak se LDK kundërshtonte që raporti i Komisionit Shtetëror të jetë pjesë e votimit së bashku me projektligjin e marrëveshjes me Malin e Zi dhe anks-marrëveshjes me dy presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërsa që AAK këmbëngulte që pa qenë pjesë e votimit edhe raporti i Komisionit Shtetëror nuk do ta votojë marrëveshjen./Lajmi.net/