Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës sot është marrë vendim për ndarjen e mjeteve nga kursimet buxhetore prej 24 milionë e 400 mijë euro për infrastrukturë rrugore (autostradë për Shkup), për ndërtimin e shkollave, për trajtim të pacientëve jashtë vendit, për ngrohje dhe për ndërmarrje publike të cilat kanë vështirësi financiare.
Për këtë tepricë të mjeteve që u ndan 100 mijë euro edhe për Infrakos, kryeministri Isa Mustafa tha se nga viti i ardhshëm do të marrin masa si qeveri për ato ndërmarrje që nuk po kanë performancë dhe menaxhmentet e tyre së bashku me bordet po marrin vendime për bonuset dhe afarojnë me humbje, e në anën tjetër Qeveria po u ndan mjete për Ndërmarrjet Publike për mbijetesë.
Në mbledhjen e Qeverisë zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik Gani Koci ngrit çështjen e Infrakos dhe Trainkos, i cili tha se shuma prej 100 mijë euro për Infrakos është e vogël .
Ndërsa, ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami tha se disa ndërmarrje publike janë duke afaruar me humbje, e cila tha se krahas mbështetjes duhet të ndërmarrin masa si Qeveri.
“Ne kemi rastin e Telekomit të Kosovës e cila nuk ka paguar dividentën për Qeverinë dhe kemi informacione se është duke afaruar me humbje. Për këtë duhet të ndërmerren masa “, tha ministrja Bajrami.
Qeveria në mbledhjen e saj po ashtu mori vendim për ndarjen e 150 mijë eurove për Shoqatën e Invalidëve të luftës së UÇK-së, për blerjen e protezave për invalidët e luftës./KosovaPress/