Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar Projektligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha tha se me këtë projektligj, është bërë përpjekje t’i kushtohet vëmendje konfliktit të interesit dhe se hartimi dhe finalizimi i këtij projektligji është si rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të MD në funksion të avancimit të infrastrukturës ligjore, në theks të veçantë legjislacionit të fushës së luftimit dhe parandalimit të korrupsionit.
“Ky ligj, konflikti i interesit dhe shmangia nga ky i fundit, është një mundësi e mirë përmes së cilës do të ndikohet në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie. Projektligji përmban këto çështje kryesore; parasheh një numër të konsiderueshëm të ndalesave për zyrtarët publik. Sikurse i ndalohet kryerja e punëve tjera përmes së cilave në çfarëdo forme mund të ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të funksionit publik. Pastaj zyrtari i lartë, nuk ka të drejtë të punësohet ose emërohet për një periudhë deri në dy vjet, pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse apo menaxhuese, apo të përfshirë në kontrollin apo auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë ,marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksion publik si dhe dispozita të tjera”, tha Hoxha.
Qeveria po ashtu miratoi propozim vendimin për harmonizim, kursime dhe ndarje të mjeteve në pajtim me nenin 14 të ligjit për buxhetin. Ministri i financave Avdullah Hoti tha se me qëllim të ngritjes së efikasitetit në ekzekutimin e buxhetit dhe përmbylljen e vitit fiskal 2016, Ministria e Financave ka verifikuar dhe evidentuar nën shpenzimet në kategoritë e mallrave dhe shpenzimeve. Ai tha se propozim vendimi përmban rregullime të brendshme, kursime dhe ndarje të reja, për nivelin qendror dhe komunal në total prej 30 milion e 254 mijë euro. Prej të cilave 59 milion janë shpenzime kapitale, 795 mijë mallra dhe shërbime dhe 263 milion janë subvencione dhe transfere.
“Në Ministrinë e Administratës Publike, kemi ndarë 450 mijë euro shpenzime komunale për të shlyer obligimet për energji elektrike. 500 mijë për të shlyer obligimet për licencë dhe teknologjisë së komisionit.410 mijë për projektin e ndërtimit të dy fakulteteve në Mitrovicë. Shuma tjera me të mëdha janë në MPMS për 10 milionë euro, për të kompensuar disa skema sociale, për të përmbyll vitit sipas planifikimit. Në Ministrinë e Mjedisit janë 700 mijë euro në dy projekte të burimeve ujore. Në Ministrinë e Punëve të brendshme janë disa shpenzime në mallra dhe shërbime, sipas nevojës që kanë prezantuar shërbimi policor. Në MPJ janë 660 mijë euro, kryesisht për obligimet që kanë ambasadat. Për Ministrinë e Shëndetësisë 200 mijë euro, për trajtime jashtë institucioneve publike. Gjithashtu në shërbimin spitalor ka ndarë një shumë të vogël, për komisionin rregullativ të prokurimit publik, sipas obligimit që kemi për sistemin e prokurimit elektronik. Në Ministrinë e Infrastrukturës janë ndarë 10 milionë euro, për të kryer obligimet që kemi në plot projekte nëpër komuna. Për këshillin prokurorial të Kosovës 220 mijë euro obligime. Për RTK-në sipas kërkesës së tyre të miratuar në komisionin për buxhet dhe financa 400 mijë euro për të kryer obligimet e transmetimeve që bëjnë ata”, tha Hoti.
Qeveria po ashtu ka ndarë mjete në vlerë prek 263 mijë e 701 euro, për kompensim të dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore në komunat e prekura gjatë vitit 2016.
Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi tha se ky është një kompensim i pjesshëm për fermerët e prekur nga vërshimet.
“Ne kemi kërkuar që të bëhet një ri-alokim dhe transferim drejtpërdrejtë të komunat të cilat kanë pësuar dëme dhe janë gjithsej 21 komuna, në një vlerë totale prej mbi 1 milion euro. Ndërsa kompensimi i pjesshëm që e kemi bërë dhe njëherë do të kompozohet në 25 për qind. Që i bie që nga fondet e ministrisë do të ri alokohen tek 21 komuna 263 mijë e 701 euro, të cilat do të dorëzohen drejtpërdrejtë si pagesa direkte tek fermerët e prekur”, tha ai.
Ndërkaq ministri i Financave Avdullah Hoti informoi kabinetin qeveritar, për raportin mbi performansën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për periudhën janar-nëntor 2016. Ndërsa kërkoi nga Qeveria që t’i dërgoj PTK-së një letër, me anë të së cilës kërkohet shlyerja e obligimit që kjo kompani ka, ndaj buxhetit të Kosovës.
“Unë kërkoj që Qeveria të shqyrtoj dërgimin e një letre formale si aksionare PTK-së për të kryer obligimin e saj që ka në përputhje me ligjin në fuqi”, tha ai.
E me këtë u pajtua dhe kryeministri Mustafa.
“ Të pajtohemi që të dërgojmë një shkresë PTK së, në mënyrë që të kërkojmë që brenda mundësive të përmbushin detyrimin që e kanë me ligjin për buxhetin”, tha ai./KP