Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar propozim vendimin për kompensimin financiar për delegatët e legjislaturës së vitit 1990. Ministri i Punës Skënder Reçiça tha se do të ndahet një shumë prej 300 mijë euro për 111 delegatë.
“Mjetet e financiare për realizimin e këtij vendimi, janë të përcaktuara në ligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2017, në vlerë prej 300 mijë euro. Objektivi kryesor i këtij propozim vendimi është që delegatëve të legjislaturës së 1990, t’u ndahet kompensimi financiar i njëhershëm për vitin 2017. Sipas këtij propozim vendimi të drejtën për kompensim financiar të njëhershëm do ta gëzojnë 111 delegatë”, tha ai.
E kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky ka qenë një obligim moral dhe se po e përmbushin një të drejtë të mohuar gjatë.
“E kemi pas obligim moral si shoqëri, po e përmbushim një të drejtë të mohuar gjatë. Kosova nuk ka harruar asnjëherë me i nderua ata që kanë qenë në nivel të detyrës “, tha ai.
Qeveria po ashtu ka ndarë mjete financiarë në vlerë prej 219 mijë euro, për mbulimin e shpenzimeve, për familjet e të dënuarve në rastin Kumanova.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se secila familje do t’i marrë nga 10 mijë euro.
“Propozoj të ndahen mjete financiare në vlerë prej 219 mijë euro, për mbulimin e shpenzimeve të familjeve të shtetasve të Kosovës të varrë dhe dënuar në rastin Kumanova. Propozoj që për secilën familje të shtetasve të republikës së Kosovës të varrë dhe dënuar në rastin Kumanova, të ndahen nga 10 mijë euro”, tha ai.
Haradinaj po ashtu si shqetësim ka ngritur dhe mundësinë e ndërtimeve, në zonat që janë për shpronësim në KEK, duke theksuar se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet.
“Një shqetësim ka të bëjë me mundësinë me na ndodh edhe një situatë e re, e ndërtimeve të shpejta në zonat që janë për shpronësim në KEK. Edhe kjo vlen për zv ministrin e punëve të brendshme, për të gjithë të tjerët. Nuk guxojnë me leju me na u përsërit ndonjë situatë e ndërtimeve të shpejta në zonat për shpronësim…Kemi dëgju që ka iniciativë të tillë. Të gjithë mekanizmat duhet t’i marrin përgjegjësitë e vet përfshijë dhe komuna e Obiliqit që të mos ndodh një gjë e tillë“, tha ai.
Qeveria po ashtu në mbledhjen e mbajtur ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Ministri i Financave Bedri Hamza tha se me këtë synojnë rregullimin e kuadrit ligjor për investimin e mjeteve të privatizimit në letrat me vlerë së qeverisë së republikës së Kosovës, trajtimin e fondeve të agjencisë dhe disa ndryshime operative lidhur me funksionimin e agjencisë.
Ndërsa tha se ky projektligj mundëson investimin e mjeteve të privatizimit, në tregun e letrave me vlerë të Qeverisë dhe me depozitat e afatizuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Këto dispozita do të bëjnë që mjetet e privatizimit të shfrytëzohen në mënyrë indirekte, për qëllime të brendshme të republikës së Kosovës, duke e rritur vlerën e tyre. Në anën tjetër depozitat përkatëse, për rregullimin e fondeve të AKP-së, do të mundësojnë transferimin e një pjese të mjeteve të privatizimit nga AKP, për fondin e konsoliduar të republikës së Kosovës. Këto mjete do të shfrytëzohen për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës…Fokusi kryesor ka qenë që të hapet mundësia, që fondet e investuara jashtë Kosovës, të kthehen në funksion të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Përmes investimit të tregut të letrave me vlerë dhe fondet tepricë dhe fondet e mbetura të këtij agjencioni të derdhen në buxhetin e republikës së Kosovës”, tha ai.
Qeveria po ashtu ka miratuar dhe Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Ministrja Albena Reshitaj tha se korniza ligjore për trajtimin e ndërtimeve pa leje ka nevojë për ndryshim dhe është i nevojshëm hartimi i ligjit të ri.
“Gjatë zbatimit të ligjit të kaluar për ndërtimit pa leje, ministria dhe komunat kanë evidentuar 352 mijë e 836 ndërtime të cilat janë përfshirë në regjistrin kombëtar të ndërtimeve pa leje. Prej këtij numri janë dorëzuar 8 mijë e 461 aplikacione për legalizim. Numri prej 350 mijë ndërtimeve pa leje duket të ketë qenë vështirë i imagjinueshëm gjatë hartimit të ligjit të parë, që rrjedhimisht paraqet njëra nga sfidat kryesore në këtë proces”, tha ajo.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ndërtimet pa leje po pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
“Jemi në dijeni për gjendjen në gjithë vendin për numrin e madh të ndërtimeve pa leje. Ato janë pengese dhe e zhvillimit urbanistik por edhe zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik dhe ngarkesë për familjet. Normativa e mëhershme ka qenë e komplikuar. Më e shtrenjtë. Tani kemi bërë një hap shumë të avansuar që gjithë kjo temë me u zgjedh dhe me arrit në një situatë të krijojmë një rregull në vend”, tha ai./KP