Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk ka arritur ta përfundojë mandatin kushtetues, ligjor, katër vjeçar. E fatin e njëjtë duket se do ta ketë edhe Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa. Kjo meqë është paralajmëruar se java e ardhshme do të jetë vendimtare për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, që do ta detyronte Qeverinë Mustafa ta përfundojë mandatin një vit para kohe.
Sinjale se mund të ketë zgjedhje të parakohshme, e ka dhënë edhe vet kryetari i partisë me të madhe në vend, PDK-së, Kadri Veseli, i cili është në koalicion qeverisës, duke thënë se nëse nuk mund të marrin vendime të mëdha për vendin, nuk ka arsye të ekzistojë kjo Qeveri dhe se duhet shkuar në zgjedhje.Këtë trend të mos përfundimit të mandatit qeverisës, shoqëria civile e sheh si pasojë e mos konsolidimit të demokracisë.Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për KosovaPress se mos përfundimi i mandatit qeverisës nga qeveritë e deritashme, ka pasur për efekt se asnjëherë nuk është ditur qartë se ato dështime të cilat kanë ndodhur prej qeverive se kush është fajtori, meqë partitë politike janë arsyetuar se nuk kanë pasur mandat të plotë.Sipas tij, ndërprerja e mandatit në gjysmë do ta dëmtojë zhvillimin e tërësishëm të shtetit, derisa, ndëshkimi i vetëm është përmes votës së qytetarëve.
Edhe Driton Selmanaj nga Demokracia Plus shprehet se thekson se në një shtet normal kjo do të duhej të merrej si normale, porse në Kosovë një gjë e tillë tregon për paqëndrueshmërinë politike të subjekteve politike.Selmanaj thotë se problemi më i madh është nëse përsëritet 2014-ta, kur vendi për gjashtë muaj mbeti pa institucione. Sipas tij, mungesa e institucioneve paraqet pengesa për zhvillimin e vendit, integrimit dhe proceseve tjera. Për situata të tilla, Selmanaj thekson se ndëshkimi i vetëm duhet të vijë nga qytetari përmes votës.
Dy qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi pas shpalljes së pavarësisë, nuk arritën ta dërgojnë mandatin deri në fund. Mandati i parë i Thaçit në krye të ekzekutivit nuk pati jetë më shumë se sa tri vjet, pasi koalicioni mes PDK-së e LDK-së, ishte prishur pas tërheqjes së LDK-së nga koalicioni, në vitin 2010, çka bëri që të mbahen zgjedhjet e parakohshme në po këtë vit.
Pas këtyre zgjedhjeve, PDK përsëri fiton dhe Thaçi përsëri merr një mandat të dytë si kryeministër, por, edhe këtë mandat Qeveria Thaçi 2, nuk arriti ta qonte deri në fund, meqë humbi shumicën parlamentare dhe në vitin 2014, një mocioni i nisur nga AKR-ja, e cila ishte pjesë e qeverisë, bëri që të mos e qojnë mandatin deri në fund.Javën që vjen qeveria ka paralajmëruar se do ta dërgojë marrëveshjen për demarkacionin në Kuvend, derisa pikërisht nga kjo marrëveshje është vlerësuar se qëndron edhe fati i koalicionit qeverisës, meqë vet drejtuesit e partive në koalicion e kanë thënë se duhet shkuar në zgjedhje nëse kjo Qeveri nuk mund të marrë vendime të rëndësishme për qytetarët.Derisa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se është kundër shkuarjes në zgjedhje të parakohshme./KosovaPress/