Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, 118-të me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore, udhëzime administrative dhe vendime tjera nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në këtë mbledhje janë miratuar shumë projektligje.
U aprovua Rregullorja për Menaxhimin Financiar të Fondit për Sigurime Shëndetësore e cila është përmbush parakushti themelor për funksionalizimin e këtij Fondi. Rregullorja përcakton rregullat dhe procedurat e menaxhimit të fondeve dhe pasurive të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Kabineti qeveritar ka miratuar Udhëzimin administrativ për kompetencat, përgjegjësitë, kriteret dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Presidentit të Republikës së Kosovës për riaktualizimin e Komisionit Qeveritar me qëllim të shqyrtimit të aplikacioneve të mbetura lidhur me Statusin e Dëshmorit të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky komision do të shqyrtojë edhe rreth 100 aplikacione të mbetura deri me datën 23 dhjetor 2016.
U aprovua edhe vendimi për dhënien e Garancisë Shtetërore për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Linja e dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, më tej, ka miratuar edhe vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK-Linja e dytë kreditore për Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës.
Edhe Statuti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Statuti përcakton organizimin, të drejtat, detyrat, përgjegjësit dhe mënyrën e kryerjes së veprimtarisë së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Qeveria ka ndarë mjetet financiare për të mbuluar obligimet e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që dalin nga pjesëmarrja në procesin e dialogut në Bruksel.
Kryeministri Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar për vizitën në Bruksel, me rastin e takimit të Lartë të Këshillit për Stabilizim Asociim, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj, ministri i Financave, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci.
Ministri Hoxhaj tha se java e kaluar në Bruksel është një kaptinë e re e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Unë dua t’ju informoj ju, kryeministër dhe kabinetin qeveritar për disa vizita që kam pasur në disa pjesë të ndryshme të botës. Kam marrë pjesë në disa samite në Afrikë, në disa forume multilaterale në Azi dhe në Amerikën Latine dhe kam pasur disa vizita bilaterale në këto tri kontinente gjatë dy muajve të fundit, tetor e nëntor. Dua t’ju siguroj se qëllimi ynë kryesor është që ta rrisim numrin e njohjeve, ta zgjerojmë sovranitetin, por edhe ta ushtrojmë sovranitetit. Natyrisht beteja jonë për njohje nuk do të jetë betejë në pafundësi, por e ka një cak të matshëm. Aktualisht janë 112 vende që e kanë njohur Kosovën. Një masë kritike e numrit të njohjeve për ne është numri 120 ose 130 njohje, meqë kjo ka të bëjë edhe me anëtarësimin tonë në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Nëse ne do ta kem këtë numër prej 120-130, që janë 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së, pastaj nëse gjatë vitit të ardhshëm do të aplikojmë në INTERPOL dhe UNESCO, do të kemi numër të mjaftueshëm të votave. Deri më tash kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ministrin Hyseni dhe ministrin Shala sa i takon koordinimit tonë se ku duhet të aplikojmë dhe a duhet të aplikojmë. Por procesi i njohjes së Kosovës është bërë i vështirë, por dua t’ju siguroj se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë lajme të mira dhe do të ketë disa vende të cilat do ta njohin Republikën e Kosovës”, tha ministri Hoxhaj.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, e ka informuar kabinetin qeveritar për publikimin e rezultateve të PISA 2015, që do të ndodhë më 6 dhjetor në tërë botën.
“Fillimisht, PISA është një vlerësim kredibil ndërkombëtar që përfshinë 72 shtete. Vetëm shtetet të cilat kanë kërkuar që të hyjnë në këtë vlerësim, vlerësohen. Republika e Kosovës në vitin 2013 ka aplikuar dhe për herë të parë në vitin 2015 ka hyrë në këtë vlerësim. Ky vlerësim përfshinë kryesisht tri fusha të vlerësimit, shkencën, gjuhën dhe matematikën dhe të gjitha shtetet janë në pritje, por janë duke i përgatitur paketat e veprimit pas PISA-s. Indikacionet e para tregojnë se rezultatet nuk janë të kënaqshme. Kjo periudhë përfshinë periudhën 2010-2014 dhe jo rastësisht ne jemi fokusuar si ministri dhe si Qeveri në një prioritet, do të thotë në ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor dhe kërkohet prej nesh që menjëherë pas publikimit të këtyre rezultateve, të miratojmë paketë për përmirësimin e sigurimit të cilësisë”, tha ministri Bajrami.