Rajon & Botë

Qeveria kolumbiane dhe rebelët arrijnë marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës

Qeveria e Kolumbisë dhe rebelët majtistë të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) kanë njoftuar se kanë arritur një marrëveshje për një armëpushim dypalësh, e cila mund të jetë hapi i fundit i madh drejt përfundimit të njërës nga luftërat më të gjata.

“Kemi arritur me sukses pajtimin e një armëpushimi dypalësh dhe përfundimtar si dhe për t’i dhënë fund armiqësive”, kështu kanë thënë të dy palët në një komunikatë për media në Havana, transmeton Gazeta Express.

Kjo marrëveshje do të nënshkruhet sot në Havana nga presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos dhe lider i rebelëve të FARC, Rodrigo Londono, i njohur më mirë si Timochenko.

Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka njoftuar se dhe ai do të jetë prezent për të qenë dëshmitar i nënshkrimit të kësaj marrëveshje.

Grupi i rreth tetë mijë anëtarëve, nga 17 mijë sa ishin në kulmin e tyre, konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

FARC ka dalë nga një lëvizje e fshatareve e cila në vitin 1960 kishte kërkuar reforma tokësore, dhe që atëherë ka luftuar kundër çdo qeverie të vendit.