Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar propozim-vendimin me të cilin Qeveria i propozon Kuvendit të Kosovës të marrë vendim, që Pallati i Rinisë të hiqet nga kompetenca e AKP-së dhe t’i kalojë Komunës së Prishtinës.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Pallati i Rinisë është në gjendje të rëndë dhe se duhet ta ketë pronarin e sa e që është Prishtina dhe qytetarët e saj.
“Pallati i Rinisë në Prishtinë, ashtu siç jemi mësuar ne me i thanë, i cili është në gjendje të rënde. Mos definimi i kompetencave pra rreth këtij Pallati, e ka mbajtur në këtë gjendje. Komuna e Prishtinës ka marrë vendim dhe ka votuar në asamblenë e komunës, që t’i marrë përgjegjësitë. Pra ta marr në kompetencën Pallatin e Rinisë, i cili dikur është ndërtuar me kontribute të qytetarëve të Prishtinës. Vendimi ynë i sotëm i Qeverisë e hap rrugën që Kuvendi ta kalojë në kompetencë të Komunës së Prishtinës si ndërmarrje publike lokale. Dhe me këtë Qeveria e kish përmbyll pjesën e vet të punës, në mënyrë që të përshpejtohen procedurat dhe Pallati i Rinisë, jo vetëm ta ketë pronarin që në këtë rast është Prishtina, qytetarët e Prishtinës, komuna e Prishtinës, por edhe të mund të gjej partner, për zhvillimin e mëtejme”, tha ai.
Qeveria po ashtu ka ndarë 16 mijë e 800 euro për Shoqatën e Malazezëve të Kosovës, për pagesën e qirasë për dy vjet. Kryeministri Haradinaj tha se kjo është një përkrahje për këtë komunitet dhe se Kosova duhet të dëshmojë që është atdhe i të gjithëve.
“Deri më tani Qeveria e vendit, nuk ka pasur mundësi, ndonjë përkrahje ose ndonjë gjest të çfarëdo natyre qoftë për këtë komunitet. Kjo është një kërkesë simbolike dhe ka rëndësinë e vet sikurse e dimë. Ne kemi interes që marrëdhëniet tona me të gjitha komunitetet të dëshmojmë se Kosova, është atdheu i të gjithëve. Por njëkohësisht dhe t’i ruajmë marrëdhëniet e mira me republikën e Malit të Zi”, tha ai.
Ndryshe, Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin për inkasimin e fondeve të pa alokuara në buxhetin e Kosovës, sipas njoftimit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, shuma e të cilave është 11 milionë euro. Qeveria po ashtu ka miratuar programin e statistikave zyrtare për vitet 2018-2022, si dhe propozim vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr 02/31 të datës 28 gusht 2008./KP





















