Ministrat e Qeverisë Haradinaj, po konsiderohen si njerëz pa eksperiencë dhe kompetencë për realizimin e suksesshëm në dikasteret ku janë caktuar, derisa kryeministri Ramush Haradinaj po konsiderohet si kryeministër i dorës së dytë në Kosovë, pasi kryeministër i dorës së parë për ministrat është dikush tjetër.
Derisa qytetarët presin shumë nga Haradinaj, për shkak të siç thonë ata 100-ditshit të tij të suksesshëm, përfaqësues të LDK-së i shpallën luftë demokratike kësaj Qeverie, në mënyrë që sa më parë ta rrëzojnë dhe të shkohet në zgjedhje
Zgjedhjet e përgjithshme janë mbajtur me 11 qershor të këtij viti, por vetëm gjatë ditës së djeshme Kosova zyrtarisht është bërë me Qeveri. Pas shumë tentativave, vetëm dje është votuar për kryeministrin dhe për kabinetin qeveritar.
Tashmë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para votimit paraqiti kabinetin e tij qeveritar, i cili përbëhej nga pesë zëvendëskryeministra dhe nga 21 ministra.
Kabineti qeveritar i prezantuar nga kryeministri përbëhej nga emra të njohur, por kishte edhe emra të cilët nuk ishin të njohur më parë.
Analisti politik, Behlul Beqaj, ka thënë se shumica e tyre janë pa eksperiencë në dikasteret ku ata janë përcaktuar për t’i udhëhequr.
“Janë emra të cilët në të shumtën e rasteve sa pash unë nuk kemi një eksperiencë dhe kompetencë për realizimin e suksesshëm në dikasteret ku janë caktuar, ndonëse edhe ka edhe të atillë që kanë eksperiencë, por pavarësisht nga kjo çështja që është krijuar ndërkohë në kuadër të mos besimit të ndërsjellët“, ka shtuar ai.
Ndërsa, rritjen e numrit të ministrive e sheh si një përmbushje të apetiteve të militantëve të cilët e kanë bërë qeverisjen në Kosovë.
“Por gjithsesi i përmbush apetitet e militantëve, simpatizuesve dhe mbështetësve të atyre të cilët e kanë formuar në këtë mënyrë qeverisjen në Kosovë“, tha ai.
Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, deputeti nga LDK, Driton Selmanaj, e sheh si Qeveri e cila nuk do të arrijë të kryejë punë më shumë se një vit.
Ai parasheh se kjo Qeveri do të rrëzohet për mungesë të vendimmarrjes për temat më të vogla, kjo sipas tij për shkak të numrit të vogël të votave që ka kjo Qeveri.
“Absolutisht jo, kjo Qeveri nuk jam i sigurt që do të arrij t’i kryej një vit madje. Nëse është pretendua kinse Qeveria e kaluar të rrëzohet kinse për shkak të mungesës së vendimeve për tema të mëdha, besomëni kjo qeveri ka me u rrëzua për mungesë vendimmarrje për temat më të vogla. Nuk ka kapacitet kjo Qeveri të merret me tema të mëdha, z.Haradinaj është kryeministër i vetëm dy ministrave të AAK-së, të tjerët kanë kryeministra dikë tjetër. Kryeministra të dorës së parë janë dikush tjetër për ata, për PDK-në është Kadri Veseli, për AKR-në është Behgjet Pacolli, për listën serbe është Vuqiçi. Do të thotë i bie që kryeministri Ramush Haradinaj të jetë kryeministër i dorës së dytë në Kosovë, jo i dorës së parë, sepse kryeministër i dorës së parë për këta ministra është dikush tjetër jo ky”, tha ai.
Kurse, shefi i tij, Avdullah Hoti paralajmëroi se nga sot nisin ‘luftën demokratike’ për rrëzimin e Qeverisë.
“Nga sot LDK bashkë me qytetarët nisim luftën tonë demokratike për rrëzimin e kësaj qeverie dhe organizimin e zgjedhjeve të reja……Para nesh në muajt në vijim detyrë parësore është që të sigurohemi që këta njerëz të etur për pushtet nuk mund të jetësojnë pazaret e arritura me Beogradin, detyrë parësore e jona është që sa më parë të përmbysim këtë Qeveri të turpshme për qytetarët liridashës të vendit “,tha ai.
Kur u pyetën se cilat janë pritshmëritë nga kabineti i ri qeveritar dhe se çka presin nga qeveria e Ramush Haradianj, qytetarët patën përgjigje të ndryshme.
Disa thonë se Haradinaj do të jete ai që do të sjellë ndryshime në Kosovës, e disa të tjerë shprehen pesimist, meqë sipas tyre asgjë nuk do të ndryshojë dhe se gjërat vazhdojnë siç kanë qenë.
Kushtrim Reci, tha se duhet të kemi parasysh 100 -ditshin e famshëm të Ramush Haradinajt në të kaluarën e tij si kryeministër duke e konsideruar atë si të suksesshëm.. Ai konsideron se kjo Qeveri është adekuate dhe se duhet t’i leme kohë Haradinajt që të vërejmë ndryshimin.
“Po konsideroj që në rrethanat në të cilat është Kosova, qeveri më të mire nuk ka pas asnjëherë. Ne e kuptojmë edhe mllefin e opozitës, i kuptojmë të gjitha, mirëpo në kohën në të cilën jemi edhe në sendet që do kaloja Kosova, kjo qeveri është adekuate. Ju si media e dini që Kosovën e presin shumë sfida në të ardhmen dhe konsideroj se ato sfida mund t’i përballoj vetëm një krah i luftës që ka ardhur sot ne pushtet. Ne duhet të jemi te vetëdijshëm që Ramushi nuk ka me pas shkopin magjik për mi përmirësuar sendet, ka ne qene jashtëzakonisht vështirë sidomos me numrat që i ka në parlament, por konsideroju që ka me ia dal dhe ne e dimë që ka qenë i suksesshëm në atë 100 ditshin e famshëm”, tha Reci.
Myhesere Suhodolli dhe Myzejene Shabani, thonë se presin ndryshime pozitive nga Haradinaj për jetën e qyetarëve. Ato thonë se fushat nëpër te cilat duhet të punohet më së shumti janë ekonomia dhe punësimi i të rinjve.
Për Fehmi Gubetinin Ramush Haradinaj është njeri i duhur për të qeverisur me vendin ,pasiqë atë e kishte caktuar kryeministër ish-presidenti Rugova. Gubetini si problem të kësaj përbërje qeveritare e sheh Serbinë, duke thënë se politike nuk po i zgjidhin problemet vetë mirëpo po ia lënë në dore armikut.
“Pasi presidenti Ibrahim Rugova e ka pranuar si kryeministër atëherë Haradinaj është njeriu i duhur për kryeministër mirëpo iu është imponuar që të behej me listën serbe, nuk është dashtë ashtu, mirëpo këta të tjerat kane faj. Këto partitë tjera duhet të bëhen edhe ta zgjidhin problemin vet, jo me ta zgjidh armiku”, tha ai për KosovaPress.
Një qytetar tjetër i cili dëshiroi të mos i publikohej emri, tha për KosovaPress se politikanët tanë po ndjekin vetëm interesat vetjake dhe populli nuk po mund të përparojë, derisa ka përmendur edhe faktin që te rinjtë e Kosovës po ikin nga vendi, e për të cilin një fenomen i tillë është mjaft shqetësues.
“Për popullin e Kosovës nuk janë asnjeri, jo vetëm ky, ky që është zgjedh kryeministër Haradinaj, mirëpo asnjëri nuk kanë mund të bëjnë dhe as nuk do mund diçka me arrit në atë aspektin ekonomik. Tepër janë tu luftuar për vete, tepër janë duke luftuar për ardhmërinë e familjeve të veta, edhe njëkohësisht për rrethin e ngushtë shoqëror, kurse për popull, pa marrë parasysh se kush zgjidhet, populli prapë se prapë po e lëshon Kosovën”, u shpreh ai.
Shumica e qytetarëve janë deklaruar se presin që të punohet më së shumti në ekonomi dhe se punësimi duhet të jetë prioritet për qeveritarët./KosovaPress/