Deputetët italianë pritet të miratojnë një program për vaksinimin e detyrueshëm masiv të fëmijëve nën moshën 17-vjeçare.
Qeveria reagoi ndaj vdekjes së tre personave si pasojë e shpërthimit të fruthit në fillim të vitit, duke mbështetur ligjin e ri të vaksinimit.
Ligji i ri përfshin vaksinimin e detyrueshëm të të miturve për parandalimin e 10 sëmundjeve, duke përfshirë fruthin, rubeolën, kollën, meningjitin, shytat dhe linë e dhenve.
Fëmijët me nevoja të veçanta mjekësore do të përjashtohen.
Sipas legjislacionit, prindërit që nuk i vaksinojnë fëmijët do të përballen me gjoba që variojnë nga 500 -1 000 euro (580-1 160 dollarë) .
Ministrja e Shëndetësisë, Beatrice Lorenzin ka shprehur mbështetjen e saj ndaj reformës, pas njoftimit të rënies së normave të vaksinimit nën pragun kritik.
Sipas të dhënave zyrtare shëndetësore, normat e vaksinimit të fruthit në Itali kanë rënë me 87 për qind.
Numri i personave të prekur nga virusi vdekjeprurës ka qenë 3 672 , gjatë periudhës 1 janar- 16 korrik 2017 , krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më pare, ku janë regjistruar rreth 522 të prekur.
Masa e ministres së Shëndetësisë, Lorenzin është kundërshtuar ashpër nga të ashtuquajturit “grupet kundër vaksinimit”, të cilët dëshirojnë “lirinë e zgjedhjes” për vaksinimin e fëmijëve.
Kundërshtimet e tyre lidhen me pretendimet se vaksinimet mund të shfaqin efekte anësore në trupin e të miturve.