Aktuale

Qeveria e Merkelit kundër taksës ndaj produkteve të Serbisë, shqetësohen për tensionim të situatës

Qeveria e kancelares Angela Merkel ka bërë thirrje që Republika e Kosovës të ndalë luftën tregtare me Serbinë, duke sinjalizuar se Evropa është e shqetësuar për tensionet e reja në Ballkan që cenojnë përpjekjen shumë vjeçare për pajtim.

“Çështja për të cilën nuk kemi fare mirëkuptim është vendosja e taksës prej 100 për qind nga Kosova për produktet e Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë së Merkelit, Steffen Seibert gjatë një konference për media të mërkurën në Berlin, shkruan ‘Bloomberg’.

Ai gjithashtu ka thënë se Gjermania do të preferonte që Serbia të lejonte Republikën e Kosovës që të anëtarësohej në INTERPOL.

Sa i përket idesë për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i pa ndryshuar.

“Ajo ka theksuar se ‘integriteti territorial i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm” ka thënë Seibert.

Megjithatë Gjermania do të mbështesë një marrëveshje të qëndrueshme reciproke ndërmjet dy palëve.

“Ne shpresojmë që të dyja palët të kthehen shpejt në dialog”, ka shtuar zëdhënësi i qeverisë së Merkelit.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për të dyja palët që të shmangin çfarëdo përshkallëzimi të situatës./GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli